Secondary Adv

BSH, detyrime transparence për kursin e aplikuar në tërheqjet e parave nga ATM

Banka e Shqipërisë propozon rregulla të reja që detyrojnë bankat dhe operatorët e pagesave të informojnë qartë klientët për kursin e këmbimit dhe kostot reale para çdo transaksioni me kartë.

Banka e Shqipërisë ka hedhur për konsultim ndryshime në rregulloren “Për krahasueshmërinë e tarifave të lidhura me llogaritë e pagesave”, me synimin për të rritur transparencën në tarifat e këmbimit të monedhës për tërheqjet nga ATM dhe pagesat në POS.

 

Sipas ndryshimeve, ofruesit e shërbimeve të pagesave duhet të shfaqin një përqindje (mark-up) që tregon sa ndryshon kursi i aplikuar nga kursi zyrtar i publikuar nga Banka e Shqipërisë. Ky informacion duhet t’i komunikohet klientit përpara inicimit të transaksionit dhe të shfaqet qartë në ATM ose POS.

 

Klientët do të informohen gjithashtu për shumën që do të paguhet në monedhën e llogarisë së tyre dhe për shumën që do të marrë përfituesi në monedhën përkatëse. Operatorët janë të detyruar ta publikojnë këtë informacion edhe në platforma elektronike lehtësisht të aksesueshme.

 

Njoftime elektronike dhe transfertat online

Rregullorja parashikon që bankat t’u dërgojnë klientëve njoftime elektronike për transaksionet në lek kur llogaria është në monedhë tjetër, ose të paktën një herë në muaj për raste të tilla. Informimi duhet të ofrohet falas dhe përmes kanaleve elektronike të dakorduara me klientin.

 

Për transfertat online, bankat do të duhet të informojnë paraprakisht klientin për shumën totale të pagesës, përfshirë tarifat dhe këmbimin e monedhës, si dhe shumën që do të përfitojë marrësi.

 

Reagim ndaj kostove të larta

Këto ndryshime vijnë pas ankesave të shumta për kostot e larta të tërheqjeve cash, veçanërisht për kartëmbajtësit e huaj.Edhe Autoriteti i Konkurrencës ka kërkuar më herët analizim të metodologjisë së komisioneve dhe kursit të aplikuar në ATM.

 

Megjithëse operatorët globalë të kartave kërkojnë edhe sot transparencë për kostot, Banka e Shqipërisë synon ta forcojë këtë detyrim përmes rregullave më të qarta dhe të detyrueshme.

Burimi: Monitor


Më të lexuarat