Secondary Adv

Tatimet shtyjnë deri më 20 Shkurt afatin për deklarimin e inventarit

Administrata Tatimore ka shtyrë afatin për deklarimin e inventarit analitik për shkak të problemeve të zgjatura teknike në sistemin SelfCare.

Pas problematikave të shfaqura për më shumë se dy javë në sistemin SelfCare, Administrata Tatimore ka njoftuar zyrtarisht shtyrjen e afatit për deklarimin e inventarit analitik të vitit 2025. Sipas njoftimit, afati i ri për deklarimin e inventarit të datës 31.12.2025 është shtyrë deri më 20 shkurt 2026.

 

Shtyrje për garantimin e korrektësisë

Sipas Tatimeve, kjo shtyrje është ndërmarrë me qëllim që tatimpaguesit të kenë kohën e nevojshme për të përmbushur në mënyrë të saktë dhe korrekte këtë detyrim ligjor, në kushtet kur aksesi në sistem ka qenë i kufizuar.

 

Çfarë duhet të përmbajë inventari

Inventari analitik duhet të përfshijë të dhëna të detajuara mbi lëndën e parë, produktet e gatshme dhe mallrat për rishitje. Informacioni duhet të paraqitet i detajuar sipas njësive, sasisë, çmimit dhe vlerës përkatëse.

 

Si kryhet deklarimi

Deklarimi i inventarit duhet të realizohet elektronikisht në sistemin e tatimeve e-Filing, në rubrikën “Çështjet e mia”. Dokumenti duhet të ngarkohet brenda datës 20.02.2026 me emërtimin “Inventari 31.12.2025”.

 

Thirrje për respektimin e afatit

Administrata Tatimore u bën thirrje të gjithë tatimpaguesve që të respektojnë afatin e ri dhe të përmbushin këtë detyrim ligjor brenda kohës së përcaktuar, për të shmangur kontrollet në vend dhe aplikimin e penaliteteve përkatëse.

Burimi: Monitor


Më të lexuarat