U bllokua për një vit, qeveria heq masat e përkohshme dhe hap TikTok-un
Pas një viti kufizimesh, qeveria ka vendosur të rikthejë aksesin e plotë në platformën TikTok në territorin e Shqipërisë.
Qeveria ka vendosur të heqë masat e përkohshme për kufizimin e aksesit në platformën TikTok, duke argumentuar se problematikat që lidhen me sigurinë publike dhe sociale në mjedisin digjital janë adresuar. Vendimi është firmosur më 3 shkurt dhe parashikon ndërprerjen e menjëhershme të masave teknike që kishin bllokuar platformën në Shqipëri.
Vendimi dhe zbatimi
Sipas vendimit, Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike është ngarkuar të ndalojë zbatimin e masave kufizuese të vendosura më herët, duke i hapur rrugë rikthimit të aksesit të plotë në TikTok për të gjithë përdoruesit në vend. Vendimi hyn në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare.
Arsyet e bllokimit
Bllokimi i TikTok u vendos në mars të vitit të kaluar, pas ngjarjes tragjike të vrasjes së 14-vjeçarit Martin Cani pranë shkollës “Fan Noli” në kryeqytet, nga një bashkëmoshatar i tij. Në atë periudhë, qeveria e lidhi vendimin me ndikimin negativ të rrjeteve sociale në sjelljen e të rinjve.
Kryeministri Edi Rama i cilësoi rrjetet sociale, veçanërisht TikTok-un dhe Snapchat-in, si faktorë që nxisin dhunën dhe bullizmin, duke theksuar se ato “thithin përditë në labirintet e tyre fëmijët qysh në moshat më të vogla”. Vendimi për bllokimin u parapri nga një proces konsultimi me komunitetet e prindërve në shkollat e vendit.
Rikthimi i aksesit
Me heqjen e masave të përkohshme, përdorimi i TikTok rikthehet në normalitet për qytetarët shqiptarë, duke i dhënë fund një periudhe njëvjeçare kufizimesh në një nga platformat më të përdorura të rrjeteve sociale.