Bankat dhanë 4.5 mld euro kredi në vitin 2025, rritje me 15 për qind krahasuar ne 2024
Sektori bankar shënoi një zgjerim të fortë të kreditimit në vitin 2025, duke disbursuar rreth 4.5 miliardë euro kredi të reja, niveli më i lartë i viteve të fundit.
Huaja e re e dhënë nga bankat gjatë muajit dhjetor 2025 arriti në rreth 62.3 miliardë lekë, duke shënuar nivelin më të lartë mujor jo vetëm për vitin 2025, por edhe në një perspektivë më afatgjatë ndër vite. Krahasuar me dhjetorin e vitit 2024, kreditimi mujor ishte rreth 30% më i lartë, duke reflektuar një kërkesë të shtuar për financim dhe një ofertë më aktive nga sektori bankar.
Rritje e ndjeshme vjetore e kreditimit
Në total, gjatë gjithë vitit 2025, bankat kanë disbursuar rreth 436.6 miliardë lekë kredi të re, ose afërsisht 4.5 miliardë euro. Në krahasim me vitin 2024, kur huaja e re ishte rreth 379.7 miliardë lekë, rritja vjetore e kreditimit për vitin 2025 vlerësohet pranë 15 për qind.
Bizneset përthithin pjesën më të madhe të huasë
Kreditimi i sektorit privat mbeti shtylla kryesore e zgjerimit. Vetëm gjatë dhjetorit, huaja e re për bizneset arriti rreth 46 miliardë lekë, niveli më i lartë mujor për vitin dhe rreth 32% më shumë krahasuar me të njëjtin muaj të vitit 2024. Në total, gjatë gjithë vitit 2025, bizneset përfituan rreth 296 miliardë lekë kredi të re, duke reflektuar rritje të investimeve, nevoja për kapital qarkullues dhe një aktivitet ekonomik më dinamik.
Individët dhe kreditë konsumatore
Edhe kreditimi për individët ka shfaqur një ecuri pozitive. Gjatë dhjetorit, huaja e re për këtë segment arriti në rreth 12.2 miliardë lekë, duke treguar se kërkesa për kredi konsumatore dhe financim familjar mbetet e fortë, veçanërisht në fund të vitit.
Banesat, peshë kyçe në huanë për individët
Një rol të rëndësishëm në kreditimin e individëve vijon të ketë financimi për blerje banese. Vetëm gjatë dhjetorit, bankat akorduan rreth 5.5 miliardë lekë kredi të re për këtë qëllim, si në lek ashtu edhe në valutë. Përgjatë gjithë vitit 2025, huaja e dhënë për blerje banese arriti në rreth 64.4 miliardë lekë, ose afërsisht 664 milionë euro, duke konfirmuar vijimësinë e kërkesës për pasuri të paluajtshme dhe rolin kyç të bankave në financimin e tregut të banesave.
Në tërësi, të dhënat e vitit 2025 tregojnë një cikël të zgjeruar kreditimi, të mbështetur si nga kërkesa e sektorit privat, ashtu edhe nga kushtet më të favorshme financiare, duke e pozicionuar huanë bankare si një nga motorët kryesorë të rritjes ekonomike gjatë vitit që lamë pas.