Secondary Adv

2021-2025, dyfishohen importet e zarzavateve, çmimet u rritën deri në 25 për qind në janar

Importet e zarzavateve po rriten me shpejtësi, duke zënë gjithnjë e më shumë tregun vendas dhe duke ndikuar në uljen e çmimeve të produkteve të freskëta në fillim të vitit.

Importet e zarzavateve po zëvendësojnë gradualisht prodhimin vendas në tezgat e tregjeve me pakicë, duke u kthyer në një faktor kryesor të rritjes së çmimeve. Vetëm në janar, çmimet e disa produkteve të freskëta si kungujt, brokoli, domatet dhe specat janë rritur deri në 30 për qind për kilogram krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

 

“Prodhimet e importit po vijnë me çmime më të larta dhe po ndikojnë edhe në rritjen e çmimeve të prodhimit vendas”, shprehet një shitës në tregun me pakicë në zonën e Uzinës Dinamo në Tiranë.

 

Çmimet në tregun e pakicës

Në tregun me pakicë, një kilogram kungull tregtohet rreth 380 lekë, me një rritje prej 27 për qind nga janari i vitit 2024. Specat shiten rreth 330 lekë për kilogram, me rritje 10 për qind. Limonët, që një vit më parë kushtonin rreth 100 lekë, aktualisht tregtohen nga 150 deri në 170 lekë për kilogram. Në përgjithësi, shumica e zarzavateve në tregjet me pakicë kushtojnë mes 250 dhe 300 lekë për kilogram.

 

Një tregtues në zonën e Komunës së Parisit pohon se në shtatë vite aktivitet nuk ka përjetuar çmime kaq të larta. Sipas tij, rritja vjen kryesisht nga tregtuesit me shumicë, ndërsa çmimet e larta rrisin edhe humbjet për shitësit me pakicë.

 

Importet në rritje të fortë pas vitit 2021

Të dhënat e INSTAT tregojnë se në vitin 2025 importet e zarzavateve arritën në 69,428 tonë, me një rritje vjetore prej 13.4 për qind. Në periudhën 2021–2025, importet janë rritur me 101 për qind, duke u dyfishuar krahasuar me fillimin e periudhës.

 

Një fazë rritjeje shumë e fortë nisi pas vitit 2022, kur importet arritën rreth 42 mijë tonë. Në vitin 2023 ato u rritën në 47.4 mijë tonë, ndërsa në vitin 2024 shënuan një kërcim të ndjeshëm në mbi 61 mijë tonë. Në vitin 2025, volumi arriti nivelin më të lartë të dekadës dhe gati dyfishin e mesatares së viteve 2015–2017.

 

Varësia nga importi dhe ndikimi te fermerët

Sipas tregtarëve, më shumë se 80 për qind e perimeve, frutave dhe zarzavateve që shiten në tregjet me pakicë janë nga importi. Patatet dhe fasulet vijnë kryesisht nga Egjipti dhe Turqia, perimet dhe frutat nga Greqia, ndërsa produkte të tjera ushqimore importohen nga Serbia, Ukraina dhe Maqedonia e Veriut.

 

Kanalet e importit janë intensifikuar, duke dekurajuar edhe më tej fermerët vendas. Emigrimi, plakja e popullsisë rurale dhe mungesa e fuqisë punëtore kanë ulur ndjeshëm kapacitetet prodhuese në vend. Paralelisht, rritja e kostove të inputeve pas viteve 2021–2022 e ka bërë prodhimin vendas më pak konkurrues krahasuar me importin.

 

Turizmi dhe standardizimi nxisin importin

Rritja e turizmit ka shtuar kërkesën për produkte ushqimore, ndërsa supermarketet dhe zinxhirët e mëdhenj kërkojnë furnizim të standardizuar, sasi të mëdha dhe stabilitet, kushte që prodhimi vendas shpesh nuk i plotëson. Dobësimi i euros ka favorizuar gjithashtu importet, duke i bërë ato më tërheqëse ekonomikisht për tregtarët.

 

Si rezultat, Shqipëria po bëhet gjithnjë e më e varur nga importi i zarzavateve, një prirje që po reflektohet drejtpërdrejt në çmimet e ushqimeve dhe në presionin mbi buxhetet familjare.

Burimi: Monitor


Më të lexuarat