Punonjësit e huajt kërcënim për punësimin vendas, 41 për qind e shqiptarëve ndihen të rrezikuar
Punëtorët e huaj po perceptohen gjithnjë e më shumë si rrezik për vendet e punës në Ballkanin Perëndimor dhe Shqipëria renditet mes vendeve me shqetësimin më të lartë në rajon.

Këtë e tregon sondazhi i vitit 2025 SecuriMeter, i realizuar nga, sipas të cilit rritja e pranisë së punëtorëve të huaj po shoqërohet me frikë në rritje për ndikimin e tyre në tregun vendas të punës.
Shqetësimi për punësimin në rritje në rajon
Sipas të dhënave të sondazhit, perceptimi se punëtorët e huaj përbëjnë kërcënim për vendet e punës është i përhapur në të gjithë Ballkanin Perëndimor. Maqedonia e Veriut kryeson listën me 47.1% të të anketuarve që ndajnë këtë shqetësim, e ndjekur nga Serbia me 44.6%, Kosova me 42.5% dhe Shqipëria me 41.4%.
Mali i Zi renditet afër këtij niveli me 39.8%, ndërsa Bosnja dhe Hercegovina paraqitet si përjashtim relativ, me vetëm 30% të qytetarëve që i shohin punëtorët e huaj si rrezik për punësimin vendas.
Mbështetje për politika më të rrepta migracioni
Të dhënat tregojnë se shumica e qytetarëve në rajon mbështesin kufizime më të forta ndaj punësimit të të huajve. Rreth 62.6% e të anketuarve shprehen pro kufizimit të numrit të punëtorëve të huaj, ndërsa 56.5% mendojnë se ata duhet të lejohen të punojnë vetëm në rastet kur vendet e punës nuk plotësohen nga punëtorët vendas.
Shqetësime të shtuara për të rinjtë dhe ndikimin online
Në Shqipëri, sondazhi evidenton edhe një rritje të ndjeshme të frikës për ndikimin e përmbajtjes online tek të rinjtë. Përqindja e qytetarëve që shqetësohen për radikalizimin përmes internetit është rritur nga 35.4% në vitin 2024 në 48.8% në vitin 2025.
Sa të huaj jetonin dhe punonin në Shqipëri në vitin 2025
Prania e shtetasve të huaj në Shqipëri u rrit ndjeshëm gjatë vitit 2025, kryesisht për arsye punësimi. Sipas të dhënave zyrtare nga Policia e Shtetit dhe Regjistri Elektronik për të Huajt, deri në fund të vitit 2025 në vend jetonin dhe punonin 27,514 të huaj me leje qëndrimi, niveli më i lartë i regjistruar ndonjëherë.
Referuar të dhënave të publikuara nga revista Monitor, rreth 65% e këtyre lejeve janë dhënë për qëllime punësimi dhe 15% për bashkim familjar. Krahasuar me vitin 2024, numri i të huajve me leje qëndrimi është rritur me rreth 4,800 persona, ose 22%.
Profil i ri i emigrantëve në Shqipëri
Shumica e të huajve me leje qëndrimi janë shtetas nga Kosova dhe Italia. Shtetasit kosovarë përbëjnë rreth 22% të totalit, me 6,076 persona, ndërsa italianët 14% ose 3,776 persona, me një rritje vjetore prej 75%.
Viti 2025 shënoi edhe zgjerim të dukshëm të origjinës së emigrantëve. Janë shtuar ndjeshëm shtetasit nga India, Filipinet dhe Egjipti, të cilët punojnë kryesisht në shërbime, teknologji informacioni, bujqësi, hotele, restorante dhe shërbime shtëpiake. Rritje është shënuar edhe nga Turqia, SHBA, Mianmari, Kina dhe Nigeria.
Gjatë vitit 2025 janë përpunuar gjithsej 19,321 aplikime për leje qëndrimi, 47% më shumë se një vit më parë, ku 65% e aplikimeve janë bërë për qëllime punësimi, ndërsa bashkimi familjar dhe studimet mbeten motive dytësore.
Burimi: Shqiptarja.com
Më të lexuarat






