Gjykata Kushtetuese merr vendimin, Belinda Balluku pezullohet nga detyra
Belinda Balluku nuk është më zv.kryeministre dhe ministre e Infrastrukturës.
Vendimi i Gjykatës së Posaçme i datës 19 nëntor, që e pezulloi nga detyra, rikthehet në fuqi.
Gjykata Kushtetuese nuk e arriti dot një shumicë, teksa u nda 4-4 për kërkesën e kryeministrit Edi Rama për të rrëzuar pezullimin e Ballukut, por ligji e përcakton se, kur votat ndahen në mënyrë të barabartë, kërkesa quhet e rrëzuar.
Ndarja e madhe e trupës së gjyqtarëve ishte nëse duhet të merret ose jo autorizim nga Kuvendi para se të pezullohet me vendim gjykate një anëtare qeverie.
Vlerësimet e gjyqtarëve u ndanë në dy qëndrime dhe Gjykata nuk arriti numrin e kërkuar të votave për vendimmarrje.
Sipas njërit qëndrim, anëtarët e Këshillit të Ministrave gëzojnë imunitetin e deputetit, që synon mbrojtjen dhe funksionimin e organit ekzekutiv, pjesë e të cilit është edhe ministri. Duke iu referuar masës së pezullimit të ushtrimit të detyrës apo shërbimit publik, vlerësohet se, për nga shkalla dhe intensiteti i saj, ajo prek funksionin kushtetues politik të ministrit.
Prandaj, në balancimin e parimit kushtetues të efektivitetit të ndjekjes penale dhe atij të funksionimit të pushtetit ekzekutiv, në kuptim të parimit të ndarjes dhe balancimit të pushteteve sipas nenit 7 të Kushtetutës, edhe për këtë masë kërkohet dhënia e autorizimit paraprak nga Kuvendi.
Ndërsa pjesa tjetër e gjyqtarëve argumenton se, në fakt, në këtë rast, leja nga Kuvendi nuk parashikohet në ligj: “Kushtetuta në formën e saj aktuale ka parashikuar autorizimin paraprak të Kuvendit për masat procedurale penale të parashikuara shprehimisht në nenin 73, pika 2, të saj. Në këtë dispozitë nuk parashikohet masa ndaluese e pezullimit të ushtrimit nga detyra sipas nenit 242 të Kodit të Procedurës Penale.”