Indeksi i sundimit të ligjit, Shqipëria përmirësohet por korrupsioni mbetet sfidë
Shqipëria pozicionohet në vendin e 87-të në Indeksin Global të Sundimit të Ligjit, i publikuar nga World Justice Project.
Shqiperia pozicionohet në vendin e 87-të mes vendeve që po punojnë aktivisht për të përmirësuar funksionimin e institucioneve, forcimin e shtetit të së drejtës dhe rritjen e besimit të qytetarëve në sistemin ligjor.
Sipas raportit Rule of Law Index, Shqipëria renditet e 87-ta nga 142 vende në botë, duke u bazuar në masën se sa sundimi i ligjit është i pranishëm në jetën e përditshme të qytetarëve dhe funksionimin e institucioneve shtetërore.
Vlerësimi mbështetet në tetë faktorë kyç: kufizimi i pushtetit qeverisës, transparenca dhe qeverisja e hapur, mbrojtja e të drejtave themelore, rendi dhe siguria publike, si dhe funksionimi i drejtësisë civile dhe penale. Të dhënat tregojnë se Shqipëria shfaq stabilitet në aspektin e rendit dhe sigurisë, ndërsa kuadri ligjor dhe institucional vijon të forcohet.
Një nga faktorët ku vendi paraqitet ende në një nivel që kërkon përmirësim është mungesa e korrupsionit. Megjithatë, kjo sfidë nuk është e izoluar vetëm për Shqipërinë, pasi edhe vendet e rajonit kanë shënuar zhvillime të ngjashme, duke krijuar një hapësirë për përmirësim gradual të sundimit të ligjit.
Raporti evidenton se reformat e ndërmarra vitet e fundit, veçanërisht në sistemin e drejtësisë, kanë krijuar baza më të qëndrueshme për përmirësimin e zbatimit të ligjit në vend.