Secondary Adv

MF: Falja e gjobave te biznesit per periudhen 1 janar 2011 deri ne 31 dhjetor 2014

Ministria e Financave ka arritur dakordësinë me Fondin Monetar Ndërkombëtar për draftin final të ligjit të fshirjes së detyrimeve të biznesit në Tatime dhe Dogana.


Ministri i Financave, Arben Ahmetaj, deklaroi dje në konferencën e fundvitit se ligji parashikon falje të gjobave të biznesit për periudhën 1 janar 2011 deri në 31 dhjetor 2014 me kushtin që të paguhet 100 për qind e principalit.Për detyrimet e krijuara para 2010-s, kreu i Financave, Ahmetaj, tha se mund të ketë fshirje, ndërsa ligji parashikon edhe faljen e gjobave të gjeneruara automatikisht nga Tatimet në muajin korrik për vonesa të vetëdeklarimit të të punësuarve. Ahmetaj pohoi se kanë nisur diskutimet edhe për rritjen e pagës minimale për efekt të llogaritjeve të kontributeve shoqërore.


Fshirja e detyrimeve
Ministri i Financave, Arben Ahmetaj, shpjegoi se ligji i fshirjes së detyrimeve të papaguara të biznesit në Tatime dhe Dogana do të shtrihet në dy periudha. “Ligji shumë shpejt do të kalojë për vendimmarrje, sepse kemi një dakordësi të fundit me Fondin Monetar Ndërkombëtar për variantin final dhe për këtë ramë dakord javën e kaluar.


Ideja tashmë e draftuar është që për deri në 31 dhjetor të 2010 mund të ketë një fshirje. Ajo që është e konsoliduar sot është që nga 1 janari 2011 deri në 31 dhjetor 2014 është një balancim i detyrimeve duke afruar këtë mundësi, paguaj 100 për qind të principalit, të të falet gjoba”, u shpreh Ahmetaj.
Ministri informoi se në draftin e ri do të përfshihen edhe gjobat që u vendosën nga Tatimet në korrik për 10 mijë biznese, si dhe gjobat për kasat fiskale.
“Ka dy lloj gjobash që janë premtuar nga qeveria që do të faleshin, gjoba që janë gjeneruar nga sistemi për vetëdeklarimin e punonjësve dhe ajo gjobë që iu dha kompanive të kasave për shkak të mungesës së kasave në momentin e informalitetit, e cila gjithashtu ka qenë një dakordësi e kryeministrit që edhe ato lloj gjobash të rrëzoheshin. Pra, nuk ka makina, këtu jemi të fokusuar. Jemi duke ndjekur një parim të domosdoshëm për të mos krijuar pabarazi te subjektet që paguajnë”, u shpreh ministri.


Paga minimale
Ministria e Financave ka nisur diskutimet për rritjen e pagës minimale në nivelin e 23 mijë lekëve apo 24 mijë lekëve nga 22 mijë lekë që është aktualisht. Ministri i Financave, Ahmetaj, sqaroi se ende nuk ka një vendimmarrje, por, sipas tij, diskutimet për rritjen e pagës minimale për efekt të kontributit të sigurimeve shoqërore janë fokusuar për një lëvizje modeste.


“Ka një diskutim për rritjen e pagës minimale, dhe po t’i kthehemi historisë, çdo vit ka pasur një rritje prej 10 mijë lekësh të vjetër përveç tre viteve të fundit. Rritja e pagës minimale influencohet nga një sërë faktorësh si historik, social, produktiviteti dhe kërkesa në treg. Ka një kërkesë që po e diskutojmë, efektet i ka minimale. Çdo diskutim është brenda kuadrit historik të hapit të rritjes së pagës minimale. Pra, jemi duke folur për nga 22 në 23 mijë apo në 24 mijë. Jemi duke diskutuar për lëvizje modeste, që janë lëvizje mekanike të pagës minimale, jo lëvizje që do të influencojnë gjithë parametrat e tjerë, që nga kostoja te sipërmarrja, apo kosto të tjera, apo humbje konkurrueshmërie. Dua t’ju parapërgatis që çdo diskutim është brenda kuadrit historik të rritjes së pagës minimale nëse do të vendoset”, tha ministri i Financave.


Paketa e investimeve
Ahmetaj informoi se së shpejti Kryeministri Rama do të prezantojë dhe paketën e re për investime me vlerë nga 700 milionë deri në 1 miliard dollarë, kryesisht në infrastrukturë dhe turizëm.Ministri i Financave tha se investimet do të parashikohen të realizohen në 3 vitet e ardhshme.“I takon kryeministrit që ta shpalosë idenë e tij në detaje. Me ju mund të ndaj që paketa është inovative, që zhvillohet brenda kuadrit makrofiskal dhe bën të mundur që të investohen 700 deri në 1 miliard dollarë në 2-3 vitet që vijnë. Çdo gjë do të ndodhë brenda kuadrit makroekonomik, deficiti nuk do të rritet, borxhi nuk do të rritet, përkundrazi do të ulet. Prandaj kemi bërë dhe reformën në menaxhimin e financave publike, që të bëjmë të mundur këto instrumente”, tha Ahmetaj.


Më të lexuarat