Secondary Adv

Kontratat e energjisë, çfarë ndryshon për profesionistët e lirë që punojnë nga shtëpia

Furnizuesi i Shërbimit Universal (FSHU) ka nisur verifikimin në terren të kontratave të energjisë elektrike, me fokus bizneset që faturohen si familjarë, duke sqaruar se profesionistët e lirë që punojnë nga banesa nuk preken nga ky proces.

Kontrolle në terren për kontratat familjare dhe bizneset

FSHU ka nisur një proces verifikimi në terren të kontratave të energjisë elektrike, me synim vendosjen e një regjimi të rregullt tarifimi sipas kategorisë reale të konsumit. Sipas kompanisë, grupet e kontrollit po veprojnë mbi bazën e një plani pune të miratuar paraprakisht, duke verifikuar kontratat sipas kabinës së furnizimit.

“Po kontrollojmë kontratat familjare që faturohen me 8.5–9.5 lekë/kWh dhe ato të biznesit që duhet të faturohen me 14 lekë/kWh,” tha administratori i FSHU, Algert Luzi.

 

Fokusi te ambientet që ushtrojnë aktivitet ekonomik

Verifikimet janë përqendruar kryesisht në ambientet e vendosura në katet e sipërme të ndërtesave shumëkatëshe, por edhe në njësi private të vetme ku ushtrohet aktivitet ekonomik dhe që vijojnë të faturohen si klientë familjarë.

Grupet në terren verifikojnë një nga një katet dhe njësitë private të banesave, bazuar në tabela identifikuese, të dhëna të afishuara dhe indicie konkrete. Në rastet kur konstatohet se një ambient ushtron aktivitet biznesi, por ka kontratë familjare, subjektit i lihet njoftim për të përditësuar kontratën brenda një afati 7-ditor.

 

Çfarë ndodh me profesionistët e lirë që punojnë nga shtëpia

FSHU ka sqaruar se procesi i verifikimit nuk prek profesionistët e lirë apo individët që punojnë nga banesa e tyre. Sipas kompanisë, nëse aktiviteti ushtrohet nga banesa dhe ajo vijon të shërbejë për qëllime banimi, kontrata e energjisë mbetet familjare.

“Verifikimi që po kryejmë është verifikim në terren, për të konstatuar vetëm ato ambiente që kanë elementë të qartë biznesi dhe ushtrojnë aktivitet ekonomik. Në çdo rast, profesionistët e lirë ose ata që punojnë nga shtëpia nuk preken nga ky proces verifikimi,” sqaroi administratori i FSHU.

Sipas tij, vetëm në rastet kur banesa është kthyer tërësisht në zyrë dhe nuk shërben më për banim, kontrata ndryshon dhe kalon në kategori biznesi.

 

Afatet dhe pasojat e mosdeklarimit

Procesi i verifikimit ka nisur nga Tirana dhe do të shtrihet gradualisht në të gjithë vendin, pa një afat të përcaktuar për përfundimin. FSHU bën me dije se, nëse pas afatit 7-ditor subjekti nuk kryen përditësimin e kontratës, ajo do të rikategorizohet automatikisht dhe do të faturohet sipas tarifës për bizneset.

FSHU nënvizon se qëllimi i këtij procesi është vendosja e një tarifimi të drejtë dhe të barabartë, në përputhje me përdorimin real të energjisë elektrike.

 

Burimi: Monitor


Më të lexuarat