E-Albania, bizneset sërish nuk mund të aksesojnë SelfCare
Funksioni i programit SelfCare, i menaxhuar përmes platformës E-Albania, është kthyer në një problem të vazhdueshëm për bizneset dhe kontabilistët, duke bllokuar procese thelbësore të punës së përditshme.
Sistemi jashtë funksionit edhe këtë javë
Edhe gjatë ditës së sotme, bizneset kanë raportuar se SelfCare është sërish jashtë funksionit, pasi kishte punuar për disa ditë me ndërprerje. Shumë ekonomistë u detyruan të punojnë gjatë fundjavës, kur platforma ishte e aksesueshme me vështirësi, ndërsa të hënën, për shkak të rritjes së ngarkesës, sistemi shfaq vetëm mesazhin: “Ju duhet të aksesoni: https:/-/e-albania.al/”.
Të paktën që nga 20 janari, profesionistët po përballen me një situatë që nuk u lejon të kryejnë veprime bazë në SelfCare, një mjet kyç për funksionimin e sistemit fiskal dhe administrativ.
Stres dhe dyfishim i kohës së punës
Ekonomistët shprehen se problemi nuk është vetëm teknik, por edhe psikologjik dhe organizativ. “U bë e lodhshme vërtet dhe as nuk merret në konsideratë elementi stres. Ajo që pala përballë e konsideron kapriço, për ne është vetë puna dhe koha jonë. Kemi dyfishim të kohës së punës dhe përgjysmim të kohës së lirë”, shprehet Arbërore, ekonomiste.
Sipas saj, kontabilistët janë detyruar të ndjekin sistemin si “roje”, duke provuar të hyjnë natën ose në orë me ngarkesë më të ulët, vetëm për të kryer ndonjë veprim urgjent.
Bizneset të bllokuara në procese kyçe
Mosfunksionimi i SelfCare po ndikon drejtpërdrejt në një sërë procesesh, nga lëshimi i faturave të fiskalizuara për personat fizikë, te deklaratat doganore për importuesit dhe korrigjimet në certifikatat elektronike. Sistemi po pengon edhe deklarimin e TVSH-së së muajit janar, një proces i domosdoshëm për bizneset.
Problemet teknike ndikuan edhe në afatet ligjore. Për shkak të bllokimeve, Administrata Tatimore u detyrua të shtyjë afatin e dorëzimit të deklaratave nga 31 janari në 20 shkurt. Kjo periudhë përkon gjithashtu me mbylljen e bilanceve vjetore, ku SelfCare është baza kryesore për rakordime.
Pasojat për biznesin dhe formalizimin
Sipas Aleancës së Profesionistëve të Lirë, bllokimet e shpeshta të sistemit sjellin pasoja të drejtpërdrejta për ekonominë dhe biznesin. Ato përfshijnë ndërprerje të punës dhe vonesa në faturim e arkëtime, rritje të riskut të gabimeve dhe mospërputhjeve në dokumentacion, kosto shtesë operative dhe ekspozim ndaj gjobave dhe penaliteteve për afate që bizneset nuk i kontrollojnë.
Aleanca thekson se situata po dëmton edhe besimin te procesi i fiskalizimit dhe formalizimit të tregut, duke e kthyer një mjet digjital në një pengesë serioze për funksionimin normal të bizneseve.