Mbi 1.000 efektivë në terren, zbulohet plani i masave për protestën e 10 shkurtit
Policia e Shtetit ka përgatitur një plan të zgjeruar masash për garantimin e rendit dhe sigurisë gjatë protestës kombëtare të thirrur nga opozita, që do të zhvillohet të martën, më 10 shkurt, në orën 17:00, përpara Kryeministrisë.
Forca të shtuara policore dhe agjentë civilë
Sipas burimeve për Euronews, mbi 1.000 efektivë policie do të jenë në terren dhe në gatishmëri gjatë gjithë zhvillimit të tubimit. Krahas forcave të rendit, do të angazhohen edhe Forcat Kombëtare të Sigurisë, RENEA, si dhe agjentë civilë, me qëllim parandalimin e çdo situate të mundshme që mund të cenojë rendin publik.
Ndalimi i parkimit dhe bllokimi i qarkullimit
Duke nisur nga ora 23:45 e së hënës, do të ndalohet parkimi i automjeteve në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, nga zona e njohur si “Ura e Dajtit” deri te rruga “Ismail Qemali”, deri në përfundim të protestës.
Ndërkohë, nga ora 15:00 e së martës dhe deri në përfundim të tubimit, do të bllokohet qarkullimi i automjeteve në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, nga kryqëzimi pranë Ministrisë së Brendshme deri te sheshi “Nënë Tereza”, si dhe në rrugët “Ukraina e Lirë”, “Papa Gjon Pali II” dhe “Ismail Qemali”.
Devijime të mundshme dhe rrugë alternative
Policia bën me dije se, në varësi të zhvillimit të protestës, mund të ketë kufizime të tjera të qarkullimit edhe në akse të ndryshme rrugore të kryeqytetit. Në rast bllokimesh shtesë, Policia e Tiranës ka planifikuar devijimin e automjeteve përmes rrugëve alternative.
Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve që të shmangin lëvizjen me automjete në zonat e bllokuara, për të mos penguar zhvillimin normal të tubimit dhe lëvizjen e lirë të protestuesve.
Bilanci i protestës së mëparshme
Policia rikujton se gjatë protestës së 24 janarit u arrestuan 18 persona, u proceduan penalisht 17 të tjerë dhe dy protestues u shpallën në kërkim. Në atë tubim u dëmtuan edhe 11 punonjës policie, të cilët morën trajtim mjekësor në spital.
Gjithashtu, u procedua penalisht sekretari organizativ i Partisë Demokratike për veprën penale “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime e manifestime të paligjshme”.