Secondary Adv

Rënia e Euros: Ekspertët mendojnë se ka ardhur nga turizmi, publiku nga paratë e pista

Rënia e euros ndaj lekut po interpretohet në mënyra të ndryshme: ekspertët e lidhin kryesisht me rritjen e turizmit, ndërsa publiku dyshon për flukse informale valutore.

Ekspertët: turizmi faktori kryesor

Gjatë muajit janar, revista “Monitor” zhvilloi një vrojtim me analistë të tregut financiar për të vlerësuar faktorët që kanë ndikuar rënien e kursit të këmbimit euro-lek. Ekspertët u pyetën të vlerësonin ndikimin e disa faktorëve në një shkallë nga një deri në pesë.

 

Sipas rezultateve, faktori me peshën mesatare më të lartë rezulton të jetë turizmi dhe në përgjithësi rritja e eksporteve të shërbimeve, me një vlerësim mesatar prej 4.5 pikësh. Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se për nëntëmujorin e vitit 2025, të ardhurat neto nga turizmi arritën në 2.1 miliardë euro, me rritje vjetore prej 19.6%, duke e bërë turizmin kontribuesin kryesor në bilancin e pagesave.

 

Roli i shërbimeve dhe remitancave

Përtej turizmit, sektori i shërbimeve në tërësi vijon të ketë një kontribut të rëndësishëm në hyrjen e valutës. Për nëntëmujorin 2025, shërbimet gjeneruan të ardhura neto prej rreth 3.5 miliardë eurosh, në rritje me 16.4% krahasuar me një vit më parë.

 

Faktori i dytë për nga ndikimi, sipas ekspertëve, janë remitancat, me një vlerësim mesatar prej 3.91. Dërgesat e emigrantëve për nëntëmujorin arritën në 817 milionë euro, me rritje vjetore prej 5.8%, të nxitura edhe nga valët e reja të emigracionit.

 

Flukset informale dhe investimet në prona

Ekspertët rendisin gjithashtu ndër faktorët me ndikim prurjet informale të valutës, me një vlerësim mesatar 3.83, si dhe flukset e paligjshme, me 3.58. Në të njëjtën kohë, investimet e huaja në pasuri të paluajtshme vlerësohen me ndikim mesatar 3.66.

 

Për nëntëmujorin 2025, investimet e huaja në prona arritën në 403 milionë euro, me rritje 50% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, duke përbërë mbi 33% të totalit të investimeve të huaja direkte.

 

Publiku: dyshime për para informale dhe të paligjshme

Për të krahasuar mendimin e ekspertëve me perceptimin e publikut, “Monitor” realizoi një sondazh online në fund të janarit dhe fillim të shkurtit. Rezultatet tregojnë një pamje të ndryshme: 36% e pjesëmarrësve mendojnë se rënia e euros lidhet kryesisht me prurjet e paligjshme të valutës, ndërsa 30% e lidhin atë me flukset informale.

 

Turizmi renditet vetëm i treti në perceptimin e publikut, me 13% të përgjigjeve, i ndjekur nga investimet e huaja në prona me 9% dhe remitancat me 5%.

 

Roli i Bankës së Shqipërisë

Sipas statistikave zyrtare, euro u këmbye mesatarisht në vitin 2025 me 97.85 lekë, niveli më i ulët historik. Megjithatë, ritmi i rënies ishte më i ngadaltë krahasuar me vitet e mëparshme, me një ulje prej 2.8%, kundrejt 7.4% në 2024 dhe 8.6% në 2023.

 

Ky ngadalësim lidhet në masë të madhe me ndërhyrjet e Bankës së Shqipërisë në tregun valutor. Për nëntë muajt e parë të vitit 2025, Banka Qendrore bleu 825.6 milionë euro në treg, niveli më i lartë historik për këtë periudhë. Në mungesë të këtyre blerjeve, rënia e euros ndaj lekut do të kishte qenë edhe më e fortë.

Burimi: Monitor


Më të lexuarat