Nis hartimi i skemës së re për bujqësinë, 52 mln euro mbështetje për fermerët
Ministria e Bujqësisë ka nisur hartimin e Skemës Kombëtare 2026, me një fond fillestar prej 52 milionë eurosh për mbështetjen e fermerëve dhe blegtorëve.
Konsultime në të gjithë vendin dhe ndryshime të pritshme
Ministria e Bujqësisë ka nisur zyrtarisht hartimin e Skemës Kombëtare për vitin 2026, pas përfundimit të turit të konsultimeve me fermerët në të 12 qarqet e vendit. Takimet kishin për qëllim mbledhjen e problematikave dhe sugjerimeve nga terreni, në mënyrë që skema e re të reflektojë më mirë nevojat reale të sektorit bujqësor.
Edhe pse skema nuk është ende finalizuar, burime nga ministria bëjnë me dije se priten ndryshime në mënyrën e disbursimit të financimit për naftën, si dhe rishikim i kritereve për blegtorinë, me synim zgjerimin e numrit të përfituesve.
52 milionë euro fond fillestar, mundësi shtese me akte normative
Për vitin 2026, në buxhetin e shtetit janë parashikuar 52 milionë euro për Skemën Kombëtare të bujqësisë. Kjo shumë mund të rritet gjatë vitit përmes akteve normative, ashtu siç ndodhi edhe në vitin 2025, kur fondi fillestar u rrit në 64 milionë euro në dhjetor për të përmbushur pagesat ndaj të gjithë fermerëve përfitues.
Buxheti i shtetit mbetet mbështetja kryesore për bujqësinë
Mbështetja financiare nga buxheti i shtetit vijon të jetë burimi kryesor i financimit për bujqësinë shqiptare, në kushtet kur sektori bankar mbetet i rezervuar ndaj këtij aktiviteti. Pavarësisht miratimit të një garancie sovrane prej 30 milionë eurosh në vitin 2024, që parashikonte kredi me interes 2 për qind dhe garanci shtetërore 70 për qind, të dhënat tregojnë se kreditimi për bujqësinë ka rënë.
Sipas Bankës së Shqipërisë, gjatë vitit 2025 u disbursuan vetëm 26.4 milionë euro kredi për sektorin bujqësor, nga 27.2 milionë euro në vitin 2024 dhe 27.3 milionë euro në vitin 2023. Kjo do të thotë se një sektor që kontribuon me rreth 15 për qind në Prodhimin e Brendshëm Bruto merr më pak se 1 për qind të totalit të huave të reja të dhëna nga bankat.
Shpresa për mbështetje nga Banka Shqiptare e Zhvillimit dhe IPARD III
Ndihmë shtesë për sektorin pritet të vijë nga Banka Shqiptare e Zhvillimit, e cila do të fokusohet në financimin e biznesit të vogël, start-up-eve, eksportuesve dhe prodhuesve, sektorë që konsiderohen të nënfinancuar.
Paralelisht, gjatë këtij viti pritet edhe zhbllokimi i fondeve të IPARD III, të cilat u pezulluan në vitin 2023 pas problematikave dhe abuzimeve të konstatuara me IPARD II. Ministri i Bujqësisë ka bërë të ditur se më 9 mars do të zhvillohen takime në Bruksel me autoritetet europiane, me synimin që programi IPARD të rihapet në vjeshtën e këtij viti.