Aeroporti i Kukësit, lidhet kontrata për studimin e fizibilitetit dhe trafikun ajror
Aeroporti i Kukësit do t’i nënshtrohet një studimi fizibiliteti dhe analize të trafikut ajror, në kuadër të planifikimit të ardhshëm të infrastrukturës së shërbimeve të navigimit ajror.

Kontrata e Albcontrol për studimin e fizibilitetit
Albcontrol, kompania shtetërore që menaxhon trafikun ajror në Shqipëri, ka lidhur së fundmi kontratën me objekt “Studimi i Fizibilitetit për Infrastrukturën e Trafikut Ajror në Aeroportin e Kukësit”. Procedura e prokurimit ishte çelur në shtator të vitit të kaluar dhe u mbyll në fund të tetorit 2025.
Vlera e kontratës llogaritet në rreth 162 mijë euro, ndërsa kompania fituese që do të realizojë studimin është DFS Aviation Services GmbH, me seli në Langen të Gjermanisë.
Studimi i pavarur nga kontrata koncesionare
Aktualisht Aeroporti i Kukësit është pjesë e një kontrate koncesionare, por prej disa kohësh nuk kryhen fluturime nga ky aeroport. Sipas sqarimeve, studimi i fizibilitetit po realizohet për nevojat e Albcontrol dhe nuk lidhet drejtpërdrejt me koncesionarin aktual.
Objektivat dhe përmbajtja e studimit
Sipas dokumenteve të publikuara gjatë fazës së prokurimit, studimi synon të identifikojë strategjinë më të përshtatshme për ofrimin e Shërbimeve të Trafikut Ajror (ATS) në Aeroportin e Kukësit. Kjo përfshin përcaktimin e objektivave, fushës së veprimit dhe horizontit kohor të zhvillimit të infrastrukturës.
Dokumenti strategjik do të adresojë çështje kyçe si kursimi i kostove, harmonizimi teknik i sistemeve të Menaxhimit të Trafikut Ajror (ATM) dhe mundësia e ofrimit të shërbimeve të kontrollit ajror nga një qendër e vetme, përfshirë integrimin e kullave të së ardhmes.
Skenarët e mundshëm për infrastrukturën
Sipas Albcontrol, studimi do të vlerësojë konfigurimin më të përshtatshëm duke marrë në konsideratë disa skenarë alternativë. Këto përfshijnë ndërtimin e një kulle betoni në Kukës, blerjen ose marrjen me qira të një kulle të lëvizshme, blerjen e një kulle të largët (Remote Tower), si dhe ndërtimin e një Qendre të Kontrollit të Largët (RTC).
Kjo qendër mund të shërbejë jo vetëm për Aeroportin e Kukësit, por edhe për disa aeroporte njëkohësisht, nga pista të vogla me shërbim AFIS deri te funksionimi si qendër emergjence për kullat e kontrollit të Aeroportit të Tiranës dhe atij të Vlorës.
Qëndrueshmëria dhe vizioni afatgjatë
Sipas dokumenteve, strategjia që do të propozohet duhet të jetë e qëndrueshme për të ardhmen dhe e përshtatur me kushtet lokale, duke marrë parasysh kohën dhe vizionin për zhvillimin e aeroportit. Fokusi kryesor mbetet përcaktimi i një rruge të qartë zhvillimi për Aeroportin Ndërkombëtar të Kukësit.
Koncesioni i Aeroportit të Kukësit
Në mars të vitit 2019, Këshilli i Ministrave miratoi kontratën koncesionare për Aeroportin e Kukësit. Procedura e tenderimit u zhvillua në dhjetor 2018 dhe fitues u shpall bashkimi i përkohshëm i kompanive Global Technical Mechanics sh.p.k. dhe Bami sh.p.k., ku aktualisht Global Technical Mechanics zotëron 100 për qind të aksioneve.
Kohëzgjatja e koncesionit është 35 vjet, ndërsa vlera e investimit për rehabilitimin e aeroportit ishte rreth 8 milionë euro.
Burimi: Monitor
Më të lexuarat






