Segmenti Elbasan - Qafë Thanë, gati shpronësimet për 148 pasuri në lotin II
Problematika e shpronësimeve në lotin II të Korridorit 8 po shkon drejt zgjidhjes, duke hapur rrugë për vijimin dhe përfundimin e punimeve në segmentin Elbasan – Qafë Thanë.
Shpronësime për interes publik në zonën e Mirakës
Agjencia Shtetërore e Shpronësimit ka shpallur kërkesën për shpronësimin, për interes publik, të 148 pasurive që preken nga ndërtimi në zonën e Mirakës, në Bashkinë Librazhd. Këto pasuri janë pjesë e lotit II të segmentit Elbasan – Qafë Thanë, ndërsa vlera totale paraprake e shpronësimit llogaritet në rreth 44.3 milionë lekë.
Shpronësime edhe në lotin III
Pak ditë më parë është shpallur edhe kërkesa për shpronësim për 15 pasuri të tjera që preken nga punimet në lotin III të të njëjtit aks rrugor. Shpronësimet kanë qenë një nga pengesat kryesore në këtë segment, së bashku me spostimin e linjave të tensionit të lartë, duke ndikuar në ngadalësimin e ecurisë së punimeve dhe mosrespektimin e afateve kontraktuale.
Përfundimi i disa loteve brenda vitit
Pavarësisht vonesave, përfaqësues të Autoritetit Rrugor Shqiptar bëjnë me dije se brenda këtij viti parashikohet përmbyllja e punimeve në disa lote të Korridorit 8. Në drejtimin Elbasan – Qafë Thanë, përveç lotit I që tashmë është i përfunduar, pritet mbyllja edhe e fazave II, III dhe V.
Së bashku, këto faza përfshijnë segmentin që nis nga Labinot – Fushë dhe përfundon në qytetin e Librazhdit.
Tuneli dhe lidhja mes fazave
Faza V parashikon ndërtimin e tunelit dhe është e ndarë në dy segmente. Njëri prej tyre nis menjëherë pas urës së Murrashit, e cila shënon edhe fundin e fazës III, duke mundësuar lidhjen funksionale mes dy fazave.
Në drejtimin Elbasan – Qafë Thanë janë gjithsej 8 kontrata aktive, që mbulojnë një gjatësi prej rreth 26 kilometrash, ndërsa në lotet e tjera punimet do të vijojnë sipas planifikimit.
Planet për vitin 2026 dhe standardet e aksit
Ndërkohë, brenda vitit 2026 pritet të përfundojnë edhe 6 lote të tjera të Korridorit 8 në drejtimin Elbasan – Rrogozhinë, që mbulojnë rreth 20 kilometra, nga një total prej 40.7 kilometrash.
Pas përfundimit të punimeve, ky aks do të jetë rrugë e kategorisë B, interurbane, me nga dy korsi për secilin krah. Referuar dokumenteve teknike, shpejtësia e lejuar do të jetë në intervalin 90 deri në 140 km/orë.