Secondary Adv

AmCham: E-Albania, rreziqe serioze për stabilitetin ekonomik, bizneset dhe sigurinë kombëtare

Dhoma Amerikane e Tregtisë paralajmëron se mungesa e auditimit dhe sigurisë së plotë në sistemet e e-Albania përbën rrezik për ekonominë, bizneset dhe sigurinë kombëtare.

Shqetësimet për funksionimin e platformës

Dhoma Amerikane e Tregtisë në Shqipëri (AmCham) vlerëson investimet e Qeverisë në digjitalizimin e shërbimeve publike dhe zhvillimin e platformës e-Albania si një hap të rëndësishëm drejt modernizimit të administratës. Megjithatë, në një deklaratë publike, AmCham thekson se sistemet digjitale qeveritare administrojnë të dhëna tepër sensitive dhe mungesa e auditimit periodik, përditësimit të vazhdueshëm dhe standardeve të larta të sigurisë përbën rreziqe serioze për stabilitetin ekonomik, vazhdimësinë e bizneseve dhe sigurinë kombëtare.

 

Sipas Dhomës, anëtarët e saj kanë raportuar probleme të përsëritura në funksionimin e platformës, përfshirë ndërprerje të shërbimeve, vonesa, akses të kufizuar në orare me ngarkesë të lartë dhe performancë të paparashikueshme të sistemit. Këto situata, sipas AmCham, ndikojnë drejtpërdrejt në aftësinë e kompanive për të përmbushur detyrimet rregullatore, për t’u shërbyer klientëve dhe për të zhvilluar operacionet e përditshme.

 

Rreziqet për të dhënat sensitive dhe konkurrencën

AmCham nënvizon se përfaqëson një numër të konsiderueshëm kompanish në sektorin e Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit, shumë prej të cilave janë të certifikuara sipas standardeve ndërkombëtare dhe disa të autorizuara për të ofruar shërbime për Qeverinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Pavarësisht kësaj, sipas deklaratës, ekzistojnë shqetësime të vazhdueshme për proceset e prokurimit publik në sektorin TIK, të cilat mund të cenojnë konkurrencën e ndershme dhe përdorimin efektiv të fondeve publike.

 

Të dhënat që administrohen nga sistemet qeveritare përfshijnë informacione mbi institucionet publike, bizneset, të dhënat personale dhe pasurore të qytetarëve, si dhe informacione me rëndësi kritike për funksionimin e shtetit dhe ekonomisë. Në krahasim me praktikat në SHBA dhe ekonomi të tjera të zhvilluara, AmCham thekson se kompanitë që operojnë në sisteme sensitive i nënshtrohen proceseve të rrepta verifikimi, autorizimi sigurie dhe kontrolli financiar.

 

Masat e propozuara nga AmCham

Dhoma i bën thirrje Qeverisë të ndërmarrë masa korrigjuese të menjëhershme për të garantuar funksionim të pandërprerë dhe të besueshëm të e-Albania, veçanërisht për shërbimet kritike për biznesin. Në planin afatshkurtër, AmCham propozon krijimin e një kuadri ligjor të detyrueshëm për auditime periodike dhe të pavarura të IT-së dhe sigurisë kibernetike, në përputhje me standarde ndërkombëtare si ISO/IEC 27001, ISO/IEC 22301, NIST, SOC 2 dhe udhëzimet e ENISA.

 

Po ashtu, sugjerohet forcimi i mekanizmave të autorizimit të sigurisë, verifikimit dhe kontrollit të aksesit në sistemet qeveritare, në përputhje me Direktivën NIS2 të BE-së, si dhe përcaktimi i kërkesave minimale për nivelin e shërbimit, kohën e rikuperimit dhe vazhdimësinë e biznesit për sistemet kritike.

 

AmCham rekomandon gjithashtu përmirësimin e procedurave të prokurimit publik në sektorin TIK, rritjen e transparencës dhe peshimin më të qartë të kritereve teknike dhe të sigurisë, si dhe krijimin e mekanizmave të detyrueshëm për njoftimin e bizneseve dhe qytetarëve mbi incidentet apo ndërprerjet e planifikuara.

 

Në përfundim, Dhoma shpreh gatishmërinë për të bashkëpunuar me Qeverinë duke ofruar ekspertizë teknike dhe praktika ndërkombëtare për forcimin e qeverisjes, mbrojtjen e të dhënave sensitive dhe rritjen e sigurisë kombëtare dhe ekonomike.

Burimi: Monitor


Më të lexuarat