Secondary Adv

Tirana organizon Ministerialin e Korridorit VIII: Pjesëmarrje nga RMV, Bullgaria, Italia e Rumania

Më 18 shkurt 2026, Tirana mirëpret Ministerialin e Korridorit VIII, me delegacione nga Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Bullgaria, Italia dhe Rumania.

Tirana në qendër të dialogut rajonal

Më 18 shkurt 2026, kryeqyteti shqiptar do të shndërrohet në qendrën e dialogut rajonal për riafirmimin e rëndësisë strategjike të një prej projekteve më të rëndësishme infrastrukturore dhe gjeopolitike në rajon, Ministerialit të Korridorit VIII. Takimi do të zhvillohet në Pallatin e Brigadave dhe do të mbledhë delegacione nga Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Bullgaria, Italia dhe Rumania, si dhe përfaqësues nga vende partnere.

 

Qëllimi i këtij takimi është thellimi i bashkëpunimit ndërqeveritar për përshpejtimin e zhvillimit të Korridorit VIII si një arterie strategjike transporti, zhvillimi ekonomik dhe sigurie, duke kontribuar në forcimin e integrimit rajonal dhe ndërlidhjen me rrjetet kryesore europiane.

 

Fokusi: lidhshmëria, siguria dhe prosperiteti

Seanca plenare do të trajtojë temën “Korridori VIII në momentin strategjik të Europës: Lidhshmëria, qëndrueshmëria përmes lëvizshmërisë ushtarake dhe prosperiteti i përbashkët përmes integrimit”, duke theksuar rolin e këtij korridori si një shtyllë që bashkon dimensionin ekonomik, atë të sigurisë dhe ndërlidhjen rajonale në funksion të zhvillimit të përbashkët.

 

Gjatë ministerialit pritet të miratohet një deklaratë e përbashkët, ndërsa programi do të përfshijë edhe takime dypalëshe mes delegacioneve dhe një konferencë të përbashkët për shtyp.

 

Forumi Ekonomik në Bankën e Shqipërisë

Në kuadër të këtij aktiviteti do të zhvillohet edhe Forumi Ekonomik për Korridorin VIII, me temë “Nga Lidhja Strategjike drejt Rritjes Ekonomike Rajonale: Potenciali Ekonomik i Korridorit VIII”, i cili do të mbahet në ambientet e Bankës së Shqipërisë.

 

Forumi do të bashkojë autoritete publike, institucione europiane, institucione financiare ndërkombëtare dhe aktorë ekonomikë, me fokus në zhvillimin ekonomik, lidhshmërinë dhe investimet përgjatë Korridorit VIII. Diskutimet do të përqendrohen në lehtësimin e tregtisë dhe zhvillimin industrial me synim rritjen e konkurrueshmërisë rajonale, si dhe në mobilizimin e instrumenteve europiane dhe ndërkombëtare të financimit për ta kthyer Korridorin VIII në një katalizator të investimeve dhe integrimit ekonomik.

 

Burimi: Shqiptarja


Më të lexuarat