Secondary Adv

Cilësia e transportit publik, Tirana e parafundit në Europë

Sipas një ankete të Komisionit Europian, vetëm 29 për qind e qytetarëve në Tiranë janë të kënaqur me transportin publik, duke e renditur kryeqytetin shqiptar parafundit në Europë.

Anketa europiane dhe renditja e kryeqyteteve

Anketa e Komisionit Europian për Cilësinë e Jetës në Qytetet Europiane përfshiu mbi 71 mijë persona në 83 qytete, të cilët vlerësuan transportin publik bazuar në përballueshmërinë, sigurinë, lehtësinë e përdorimit, frekuencën dhe besueshmërinë. Sipas rezultateve të publikuara nga MSN, Tirana renditet e parafundit në Europë, duke lënë pas vetëm Romën.

 

Në të dy qytetet, vetëm 29 për qind e qytetarëve deklarojnë se janë të kënaqur me transportin publik. Megjithatë, ndryshe nga Roma, Tirana nuk ka metro, tramvaj apo tren urban, duke u mbështetur kryesisht në rrjetin e autobusëve dhe alternativat private si taksitë.

 

Autobusë të shumtë, por flotë e vjetruar

Sipas të dhënave të Eurostat, Shqipëria renditet mes vendeve me numrin më të lartë të autobusëve për frymë në Europë, çka reflekton mungesën e alternativave të tjera të transportit publik. Në vitin 2024 numëroheshin 8 886 autobusë urbanë, ndërqytetas dhe elektrikë, por vetëm 432 prej tyre ishin mjete të reja, ose rreth 4.9 për qind e flotës, nën mesataren e Bashkimit Europian prej 5.1 për qind.

 

Mbipopullimi i autobusëve, vështirësitë në orientim dhe mungesa e një sistemi të integruar transporti janë ndër arsyet që përmenden për nivelin e ulët të kënaqësisë në kryeqytetin shqiptar.

 

Kryeqytetet me transportin më problematik

Pas Tiranës, në renditje vijnë Podgorica, Beogradi dhe Nikozia. Në Podgoricë vetëm 37 për qind e qytetarëve janë të kënaqur me transportin publik, ndërsa në Beograd dhe Nikozia niveli i kënaqësisë arrin në 44 për qind. Në këto qytete mungesa e metrosë dhe varësia nga autobusët janë faktorë që ndikojnë në perceptimin e shërbimit.

 

Vjena, modeli i suksesit

Në krahun tjetër të renditjes qëndron Vjena, ku 91 për qind e qytetarëve shprehen të kënaqur me transportin publik. Sistemi i integruar i metrosë, tramvajit dhe autobusëve, përpikëria dhe përballueshmëria e shërbimit e bëjnë kryeqytetin austriak një nga modelet më të suksesshme në Europë.

Burimi: Monitor


Më të lexuarat