Energjia, ERE nis procedurat për heqjen e 11 licencave, subjektet nuk kanë paguar
Enti Rregullator i Energjisë ka nisur procedurat për heqjen e 11 licencave në prodhim dhe tregtim energjie për shkak të mosshlyerjes së pagesave rregullatore për vitin 2025.
Vendimet e Bordit të ERE
Enti Rregullator i Energjisë (ERE) ka ndërmarrë procedurat për heqjen e 11 licencave ndaj disa subjekteve që operojnë në prodhimin dhe tregtimin e energjisë elektrike, pasi këto të fundit nuk kanë shlyer në kohë detyrimet rregullatore. Vendimet janë marrë nga Bordi i Komisionerëve më 4 shkurt, duke argumentuar se subjektet në fjalë nuk kanë reaguar ndaj faturave të dërguara dhe nuk kanë paraqitur dokumentacion justifikues për moskryerjen e pagesave.
Sipas ERE, me vendimin nr. 112/2025 të miratuar në maj të vitit 2025 janë përcaktuar pagesat rregullatore që operatorët duhet të paguajnë në llogari të institucionit. Vendimi është publikuar në Fletoren Zyrtare nr. 105, datë 17 qershor 2025, ndërsa subjekteve u është dërguar edhe fatura e fiskalizuar përkatëse me detyrimin respektiv.
Shkelja dhe baza ligjore
Sipas njoftimit, subjektet nuk kanë kundërshtuar vendimin dhe nuk kanë përcjellë dokumentacion për arsyet e mosshlyerjes së detyrimit. Për rrjedhojë, ERE ka konstatuar shkeljen “mosshlyerje në afat të pagesës së rregullimit për vitin 2025”.
Ligji nr. 43/2015 “Për sektorin e energjisë elektrike”, i ndryshuar, në nenin 107 parashikon se për moskryerjen e pagesës rregullatore brenda afatit, ERE mund të vendosë gjobë deri në 3 për qind të të ardhurave të vitit paraardhës të subjektit, si dhe kamatëvonesë në masën 0.2 për qind të xhiros ditore për çdo ditë vonesë. Ndërkohë, sipas nenit 42, ERE ka të drejtë të heqë licencën nëse pagesat e rregullimit nuk kryhen.
Afati për reagim
Në rast se subjektet nuk marrin masa as pas vendosjes së gjobave dhe nuk shlyejnë detyrimin kryesor, Enti mund të vendosë përfundimisht heqjen e licencës. Subjekteve të përfshira në këtë procedurë u është lënë një afat 30-ditor për të reaguar dhe për të rregulluar situatën financiare përpara marrjes së vendimit përfundimtar.