Secondary Adv

DIVA, Kompensimi për arsimin pritet të sjellë 75 mijë deklarues të rinj

Skema e kompensimit për arsimin e fëmijëve pritet të rrisë me rreth 75 mijë numrin e deklaruesve të DIVA 2025, duke e çuar totalin deri në 200 mijë individë.

10 mijë deklarime deri tani

Pas hapjes së sistemit e-Filing më 22 janar për plotësimin e Deklaratës Individuale të të Ardhurave Vjetore (DIVA 2025), e cila duhet dorëzuar deri më 31 mars 2026, administrata tatimore bëri të ditur se deri tani janë regjistruar rreth 10 mijë deklarime nga të gjitha kategoritë e individëve.

 

Tatimet parashikojnë që këtë vit numri i deklaruesve të arrijë deri në 200 mijë, i nxitur kryesisht nga zbatimi për herë të parë i kompensimit për shpenzimet e arsimit të fëmijëve.

 

75 mijë deklarues të rinj nga kompensimi

Zbritja e shpenzimeve për arsimin e fëmijëve, në vlerë 48 mijë lekë ose 100 mijë lekë në vit, ka bërë që DIVA të plotësohet edhe nga individë që nuk e kanë detyrim ligjor dorëzimin e saj, konkretisht ata me të ardhura bruto vjetore nën 1.2 milionë lekë.

 

Krahasuar me deklarimet e vitit të kaluar për DIVA 2024, administrata tatimore parashikon një rritje prej rreth 75 mijë deklaruesish, ose 60 për qind më shumë. Vjet, sipas të dhënave të publikuara nga Tatimet, DIVA 2024 u plotësua nga 124,416 individë, me një rritje prej 58.5 mijë deklaruesish krahasuar me një vit më parë.

 

Ndryshimet e vitit të kaluar

DIVA për vitin 2024, e cila u plotësua dhe u dorëzua gjatë vitit 2025, pësoi disa ndryshime të rëndësishme. Së pari, detyrimi për plotësimin dhe dorëzimin e deklaratës iu aplikua të gjithë individëve që realizuan mbi 1.2 milionë lekë të ardhura bruto, nga mbi 2 milionë lekë që ishte kufiri deri në vitin 2023.

 

Së dyti, për herë të parë u përfshinë edhe individët që realizuan më shumë se 50 mijë lekë nga kategori të tjera të ardhurash që nuk i nënshtrohen mbajtjes së tatimit përfundimtar në burim. Këtu përfshihen të ardhurat nga qiradhënia kur qiramarrësi është individ i paregjistruar si tatimpagues tregtar apo i vetëpunësuar, të ardhurat e realizuara jashtë territorit të Shqipërisë, si dhe të ardhura të tjera për të cilat paguesi nuk ka mbajtur tatim në burim.

 

Në vitin 2025 nuk ndryshoi mënyra e plotësimit dhe dorëzimit të DIVA për individët e dypunësuar, të cilët vijojnë të kenë detyrimin për dorëzimin e deklaratës pavarësisht nivelit të të ardhurave. Gjithashtu, afati për dorëzimin e DIVA u ndryshua nga 30 prill në 31 mars.

Burimi: Monitor


Më të lexuarat