Secondary Adv

Nis projekti i lehtësimit doganor, 14 dokumente në një sportel

Qeveria nis zbatimin e Sistemit Dritarja e Vetme Kombëtare (NSW), që do të unifikojë 14 dokumente dhe procedura në një platformë të vetme digjitale për tregtinë ndërkufitare.

Nis zbatimi i kontratës për NSW

Ka filluar zbatimi i kontratës për implementimin e Sistemit Dritarja e Vetme Kombëtare – National Single Window (NSW), në kuadër të projektit “Lehtësimi i Tregtisë dhe Transportit në Ballkanin Perëndimor”, i financuar përmes një kredie të Bankës Botërore. Takimi zyrtar hapës për nisjen e projektit u zhvillua në ambientet e Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave.

 

Ky hap vjen pas nënshkrimit, më 28 janar 2026, të kontratës së implementimit nga Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit, duke shënuar nisjen formale të një prej reformave më të rëndësishme për modernizimin dhe digjitalizimin e procedurave tregtare dhe doganore në vend.

 

14 institucione në një platformë të vetme

Sistemi NSW synon të modernizojë dhe unifikojë procedurat e institucioneve shtetërore që operojnë në funksion të importeve, eksporteve dhe transitit. Ai do të krijojë një platformë të vetme digjitale për shkëmbimin e dokumentacionit dhe të dhënave, duke përfshirë 14 institucione dhe agjenci shtetërore që lëshojnë licenca, certifikata dhe autorizime për proceset tregtare ndërkufitare.

 

Në takimin hapës morën pjesë përfaqësues të institucioneve partnere dhe të kompanisë kontraktore implementuese, me fokus prezantimin e fazave të zhvillimit të sistemit, qasjes së implementimit dhe sqarimin e roleve dhe përgjegjësive të secilit institucion përfitues dhe përdorues të sistemit.

 

Fazat e zhvillimit dhe qeverisja e projektit

Gjatë prezantimit u paraqit kuadri kontraktual dhe objektivat kryesore të sistemit NSW, metodologjitë e menaxhimit dhe zhvillimit të projektit, si dhe fazat e implementimit që përfshijnë nisjen, specifikimin, zhvillimin, testimin, pilotimin dhe vendosjen përfundimtare në përdorim.

 

Po ashtu, u prezantua modeli i qeverisjes dhe struktura organizative e projektit, si dhe mekanizmat e komunikimit, raportimit dhe menaxhimit të riskut. Në përfundim të takimit u dakordësuan hapat e menjëhershëm për fazën fillestare, përgjegjësitë ndërinstitucionale dhe takimet e ardhshme teknike që do të shoqërojnë procesin e implementimit.

 

Drejtoria e Përgjithshme e Doganave vlerëson se ky projekt strategjik do të ndikojë drejtpërdrejt në lehtësimin e tregtisë, rritjen e transparencës dhe përmirësimin e shërbimeve për biznesin dhe operatorët ekonomikë.

Burimi: Monitor


Më të lexuarat