Lindjet prekin minimumin në mbi 3 dekada, në 2025 ishin 74 për qind më të ulëta se në 1990
Numri i lindjeve në Shqipëri ra në 21,425 në vitin 2025, niveli më i ulët në më shumë se 30 vite, duke thelluar krizën demografike në shkallë kombëtare.

Rënie e fortë në shkallë vendi
Shqipëria po hyn me shpejtësi në një fazë të re të tkurrjes demografike, teksa viti 2025 ka konfirmuar përmasat e këtij fenomeni. Sipas të dhënave zyrtare, në vitin 2025 u regjistruan 21,425 lindje, me një rënie prej 8.1% krahasuar me vitin 2024. Brenda një viti janë 1,885 foshnja më pak, çka tregon thellimin e hendekut me vitin 2021, kur lindjet ishin 27,211.
Krahasuar me fillimin e viteve ’90, kur vendi regjistronte 82,125 lindje në vitin 1990, rënia ka arritur në rreth 74 për qind. Brenda 35 vitesh, Shqipëria ka zbritur në një nivel kritik, duke përjetuar një nga krizat më të thella demografike në historinë moderne të saj.
Fertilitet i ulët dhe popullsi në plakje
Rënia më e fortë është shënuar gjatë dekadës së fundit. Nga 32,715 lindje në vitin 2015, vendi ra nën kufirin psikologjik prej 25 mijë lindjesh në vitin 2023, për të arritur në rekordin negativ të vitit 2025. Faktorët kryesorë që po ushqejnë këtë trend janë plakja progresive e popullsisë, me moshë mesatare 44.3 vjeç, si dhe ulja e shkallës së fertilitetit në vetëm 1.21 fëmijë për grua.
Ndryshimi i modelit të familjes, shtyrja e lindjeve dhe emigrimi i moshës riprodhuese drejt vendeve të Bashkimit Europian po e përballin vendin me një sfidë strukturore me pasoja afatgjata për tregun e punës, sistemin e pensioneve dhe zhvillimin ekonomik.
Dibra dhe Korça me tkurrjen më të thellë
Goditjen më të rëndë e ka pësuar qarku i Dibrës, me një rënie prej 20.4%, nga 1,095 lindje në 2024 në vetëm 872 në 2025. Pas saj renditet Korça, me një tkurrje prej 18.5% dhe 218 lindje më pak krahasuar me një vit më parë. Këto shifra sugjerojnë një zbrazje të vazhdueshme të rajoneve nga popullsia në moshë riprodhuese, duke vënë në pikëpyetje qëndrueshmërinë sociale në afatgjatë.
Presion edhe në qarqet ekonomike
Edhe qarqet me peshë ekonomike po shfaqin dobësi. Fieri regjistroi rënie prej 12.7%, Elbasani 12.4% dhe Vlora po ashtu 12.4%. Në Durrës, një nga nyjet kryesore ekonomike të vendit, lindjet ranë me 11.7%, me mbi 300 lindje më pak brenda vitit. Në Lezhë rënia arriti në 11.2%.
Tirana dhe Shkodra me rënie më të moderuar
Tirana mbetet qarku me numrin më të lartë të lindjeve, me 8,830 në vitin 2025, por edhe aty është shënuar një rënie prej 2.0%. Megjithatë, kjo është tkurrja më e ulët në rang kombëtar, duke treguar se kryeqyteti vijon të tërheqë popullsi aktive. Shkodra shënoi një rënie prej 9.7%, më e ulët se në shumë qarqe të tjera, por sërish në territor negativ.
Rënie edhe në jug dhe veri
Gjirokastra regjistroi vetëm 301 lindje gjatë vitit, me një ulje prej 10.4%. Kukësi shënoi rënie prej 10.0%, ndërsa Berati 8.6%, duke qenë pas Tiranës qarku me tkurrjen më të vogël relative.
Shifrat e vitit 2025 konfirmojnë se rënia e lindjeve nuk është më një fenomen i izoluar, por një tendencë e konsoliduar kombëtare, që po prek njëkohësisht zonat periferike dhe qendrat ekonomike të vendit.
Burimi: Monitor
Më të lexuarat






