Secondary Adv

Turizmi kulturor, gati ndërhyrja në Kalanë e Rozafës, nga muzeu tek parkimi

Kalaja e Rozafës në Shkodër do t’i nënshtrohet një projekti restaurimi dhe rikualifikimi për të rritur potencialin e turizmit kulturor, me financim nga BE dhe BERZH.

Thirrje për operatorët ekonomikë

Kalaja e Rozafës në Shkodër pritet të përfitojë nga një paketë e gjerë ndërhyrjesh që synojnë rivitalizimin e monumentit dhe rritjen e atraktivitetit të tij turistik. Një procedurë e hapur në sistemin e prokurimeve të Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) u bën thirrje operatorëve ekonomikë të interesuar të paraqesin shprehje interesi për pjesëmarrje në projekt.

 

Nisma është pjesë e programit “Albania Infrastructure and Tourism – Enabling Programme”, i financuar nga Bashkimi Evropian përmes asistencës teknike dhe granteve të investimit në një vlerë totale prej 40 milionë eurosh, si dhe nga një kredi sovrane plotësuese e ofruar nga BERZH për Qeverinë e Shqipërisë.

 

Çfarë përfshin projekti në Kalanë e Rozafës

Projekti “Përmirësimi i potencialit të turizmit kulturor përmes ndërhyrjeve në Kalanë e Rozafës në Shkodër” do të zhvillohet në territorin e kalasë, monument kulture nën administrimin e Bashkisë Shkodër. Pozicioni gjeografik dhe kushtet natyrore i japin zonës një klimë tipike mesdhetare, duke rritur potencialin për vizitorë gjatë gjithë vitit.

 

Ndërhyrjet parashikojnë restaurimin e shtegut jashtë kalasë, restaurimin e muzeut dhe fasadës së godinës, rikualifikimin e Oborrit nr. 4, rehabilitimin e shërbimeve sanitare ekzistuese dhe rikonstruksionin e linjës së furnizimit me ujë sipas rrjetit aktual. Gjithashtu do të krijohet një hapësirë rekreative në Oborrin nr. 2 për aktivitete kulturore dhe artistike, si dhe do të përmirësohet ndriçimi në zonën e brendshme të kalasë.

 

Projekti përfshin edhe restaurimin e dy pikave panoramike, ndërhyrje konsoliduese në muret hyrëse, zgjerimin e parkimit për autobusë dhe furgonë, ndërtimin e ambienteve të reja sanitare në zonën e parkimit në rrëzë të kodrës, si dhe përmirësime në dizajnin urban me vendosjen e stolave, koshave të mbeturinave dhe sinjalistikës turistike.

 

Programi kombëtar për turizmin

Ky investim është pjesë e projektit më të gjerë “Infrastruktura dhe Turizmi në Shqipëri”, i cili po zbatohet në disa rajone me qëllim rritjen e potencialit turistik përmes përmirësimit të aksesit, infrastrukturës dhe promovimit të aseteve natyrore dhe kulturore.

 

Më herët janë njoftuar ndërhyrje në fshatrat e Korçës për zhvillimin e turizmit të aventurës, investime në rrugët turistike të Velipojës, përmirësime në infrastrukturën dhe transportin në Bogë, si dhe investime në Parkun Kombëtar të Tomorit dhe në zonën e Labërisë.

 

Programi synon të forcojë rolin e turizmit si një motor i rëndësishëm i rritjes ekonomike, duke kombinuar investimet infrastrukturore me zhvillimin e qëndrueshëm të destinacioneve turistike.

Burimi: Monitor


Më të lexuarat