Secondary Adv

Buxheti i Kosovës 2026 prej 4 mld euro dërgohet në Kuvend, parashikohet edhe paga e 13

Qeveria e Kosovës ka riproceduar në Kuvend projektligjin për buxhetin 2026 me vlerë 4 miliardë euro, duke përfshirë pagën e 13-të dhe rritje të shtesave sociale.

Buxheti prej 4 miliardë eurosh në Kuvend

Qeveria e Kosovës, në mbledhjen e saj të parë, ka proceduar në Kuvend projektligjin për buxhetin e vitit 2026. Kryeministri Albin Kurti bëri të ditur se vlera totale e buxhetit arrin në 4 miliardë euro, duke theksuar se dokumenti ishte miratuar fillimisht më 31 tetor të vitit të kaluar dhe tani po riprocedohet për miratim parlamentar.

 

Sipas tij, nga kjo shumë, për komunat e Kosovës janë parashikuar 867 milionë euro. Ministri i Financave, Hekuran Murati, sqaroi se të hyrat buxhetore pritet të jenë 3.64 miliardë euro, ndërsa diferenca do të mbulohet përmes huamarrjeve dhe metodave të tjera të financimit të deficitit.

 

Paga e 13-të dhe shtesat sociale

Kryeministri Kurti deklaroi se buxheti përmban edhe pagën e 13-të për punëtorët e sektorit publik që paguhen nga buxheti i shtetit, e cila do të disbursohet sapo të hyjë në fuqi Ligji për Buxhetin. Sipas sqarimit të ministrit Murati, kjo pagë do të përfitohet nga ata punonjës që kanë marrë 12 paga, pra që kanë punuar të paktën 12 muaj para pagesës së saj.

 

Buxheti parashikon gjithashtu rritjen e shtesave për fëmijë, të cilat aktualisht variojnë nga 30 deri në 45 euro. Qeveria synon që në mandatin e ardhshëm këto shtesa të dyfishohen deri në 90 euro për familjet me tre ose më shumë fëmijë. Po ashtu, është paralajmëruar rritje e shtesave për nënat lehona nga 500 euro në muaj për gjashtë muaj.

 

Punësimi dhe prioritetet financiare

Kryeministri theksoi se gjatë mandatit të kaluar numri i të punësuarve është rritur nga 350 mijë në 430 mijë, me fokus të veçantë tek rinia dhe gratë. Ai paralajmëroi krijimin e platformës “Superpuna” edhe për gratë, si pjesë e politikave për zgjerimin e punësimit.

 

Sipas qeverisë, pagat në sektorin publik gjatë mandatit që po përmbyllet kanë shënuar një rritje mesatare prej 47 për qind. Ndërkohë, ministri Murati theksoi se për shkak të ndryshimeve në strukturën e dikastereve mund të nevojitet rishikim i buxhetit, por ai do të procedohet fillimisht në Kuvend për shkak të urgjencës.

 

Marrëveshje me Bankën Botërore

Në të njëjtën mbledhje, kabineti qeveritar miratoi edhe Projektligjin për Ratifikimin e Marrëveshjes së Financimit për Programin e Parë për “Financimin e Politikave Zhvillimore për Efektivitetin Fiskal, Konkurrueshmërinë dhe Rritjen e Gjelbër” mes Kosovës dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim, pjesë e Bankës Botërore.

 

Marrëveshja ka vlerën 90.3 milionë euro, me periudhëkthimi 12 vjet dhe normë interesi zero për qind, sipas ministrit të Financave, i cili e cilësoi si një financim me kushte të favorshme për vendin.

Burimi: Monitor


Më të lexuarat