Kompensim nga DIVA do të përfitojnë edhe individët pa fëmijë, Tatimet sqarojnë si aplikohet
Të gjithë individët që pas dorëzimit të DIVA 2025 rezultojnë me tatim të mbipaguar kanë të drejtë të aplikojnë për rimbursim, edhe nëse nuk kanë fëmijë në ngarkim.

Rillogaritja vjetore sjell mbipagesa
Administrata Tatimore sqaron se për herë të parë këtë vit tatimi mbi të ardhurat nga punësimi rillogaritet mbi bazë vjetore dhe jo mujore, çka mund të sjellë diferenca në favor të individit. Drejtoresha e procesit të biznesit në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve, Rozana Çelmeta, në një intervistë për “Monitor”, theksoi se çdo individ që pas plotësimit të Deklaratës Individuale të të Ardhurave Vjetore (DIVA 2025) rezulton me tatim të mbipaguar, ka të drejtë të kërkojë rimbursimin e shumës.
Sipas saj, gjatë vitit tatimi mbahet mbi bazë mujore nga punëdhënësi përmes listëpagesës, ndërsa në DIVA bëhet përllogaritja përfundimtare mbi të ardhurat totale vjetore. Nga tatimi i rillogaritur zbritet shuma e paguar gjatë vitit dhe, në varësi të shpërndarjes së të ardhurave, individi mund të rezultojë me detyrim shtesë, me rezultat zero ose me mbipagesë, për të cilën ka të drejtë të aplikojë për rimbursim.
Administrata Tatimore parashikon që rreth 200 mijë individë do të dorëzojnë DIVA 2025, jo vetëm për shkak të kompensimit për arsimin e fëmijëve, por edhe për shkak të aplikimit të parimit të ri të llogaritjes vjetore.
Si aplikohet për rimbursim
Aplikimi për rimbursim bëhet përmes llogarisë personale në sistemin e-Filing. Fillimisht, te “e-Filing Im”, në rubrikën “Profili im”, plotësohen të dhënat bankare në modulin “Detajet e Bankës”, duke përzgjedhur bankën, duke vendosur manualisht IBAN-in, llojin e monedhës dhe datën e hapjes së llogarisë.
Më pas, për krijimin e kërkesës për rimbursim, zgjidhet moduli “Çështjet e mia”, ku krijohet një çështje e re përmes opsionit “Pyetje të Përgjithshme”. Në formatin e hapur, individi duhet të shkruajë kërkesën për rimbursim, duke përfshirë emrin, mbiemrin, numrin e identifikimit dhe referencën për tatimin e mbipaguar sipas DIVA.
Nëse në deklaratë rezulton vlerë pozitive në rubrikën e “tatimit të mbipaguar”, individi ka të drejtë të paraqesë kërkesën. Për rastet kur nuk kërkohet kompensim për fëmijë, nuk është e nevojshme ngarkimi i certifikatës familjare.
Dokumentet për kompensimin e arsimit
Ndryshe nga individët pa fëmijë, ata që kërkojnë kompensim për shpenzimet arsimore duhet të bashkëngjisin dokumentacion shtesë, përfshirë IBAN-in, certifikatën familjare dhe faturat e fiskalizuara që vërtetojnë pagesat për arsim, si shkollë, kopsht apo kurse. Kontratat me institucionet arsimore mund të ngarkohen si dokumente mbështetëse, por vetëm faturat e fiskalizuara justifikojnë shpenzimet.
Afati për dorëzimin e DIVA është deri më 31 mars, ndërsa verifikimi i kërkesave do të nisë pas këtij afati. Shpërndarja e rimbursimeve pritet të fillojë në muajin prill dhe do të kryhet në disa faza.
Sipas ligjit, e drejta për rimbursim nuk humbet për pesë vite. Nëse individi nuk aplikon menjëherë, shuma e mbipaguar mbetet si tepricë për këtë periudhë.
Detyrimin për plotësimin e DIVA-s e kanë individët me të ardhura mbi 1.2 milionë lekë në vit, të dypunësuarit dhe ata që kanë krijuar të ardhura të pataksuara mbi 50 mijë lekë në vit nga qiraja, honorarë apo burime të tjera. Risi këtë vit është se DIVA plotësohet edhe nga individët që kërkojnë të përfitojnë kompensimin për arsimin e fëmijëve, pavarësisht nivelit të të ardhurave.
Burimi: Monitor
Më të lexuarat






