Tatimet publikojnë linkun: Verifikoni nëse duhet të plotësoni DIVA 2025
Administrata Tatimore ka vënë në dispozicion shërbimin elektronik “Tax Test”, për të ndihmuar qytetarët të kuptojnë nëse kanë detyrim për deklarimin e të ardhurave vjetore.
Verifikimi online pa regjistrim
Drejtoria e Tatimeve njoftoi se çdo individ mund të verifikojë nëse duhet të plotësojë Deklaratën Individuale të të Ardhurave Vjetore (DIVA 2025) përmes shërbimit elektronik “Tax Test”, i aksesueshëm në faqen zyrtare të administratës tatimore.
Është i organizuar në formën e një pyetësori të thjeshtë, që jep përgjigje në kohë reale për çdo individ, rezident apo jorezident, në varësi të të ardhurave të realizuara.
Tatimet sqarojnë se nuk është e nevojshme të vendoset emër përdoruesi apo fjalëkalim dhe se sistemi nuk kërkon të dhëna konfidenciale. Pyetjet janë të ndërtuara në mënyrë të tillë që, në bazë të përgjigjeve, individi të kuptojë nëse plotëson kriteret për të qenë subjekt deklarimi për DIVA 2025.
Kush ka detyrim për DIVA 2025
Sipas Administratës Tatimore, subjekt deklarimi për vitin 2025 janë individët që kanë realizuar të ardhura bruto 1.200.000 lekë ose më shumë nga të gjitha burimet, jo vetëm nga paga; ata që kanë qenë në më shumë se një marrëdhënie punësimi gjatë të paktën një muaji; si dhe individët që gjatë vitit 2025 kanë realizuar të ardhura mbi 50.000 lekë për të cilat nuk është mbajtur tatim në burim, si p.sh. të ardhura nga qiradhënia për individë të paregjistruar, përfshirë qiratë ditore apo platformat si Booking dhe AirBnB.
Afati për deklarimin dhe pagesën e DIVA 2025, sipas ligjit të ri, është data 31 mars 2026.
Deklarimi edhe për përfitime
Administrata Tatimore thekson se edhe individët që nuk kanë detyrim ligjor për deklarim, por që plotësojnë kushtet për të përfituar rimbursim për fëmijët në ngarkim dhe për shpenzimet arsimore, duhet të dorëzojnë DIVA 2025 për të përfituar nga këto zbritje.