Secondary Adv

Popullsia rritet vetëm në Tiranë, 7 qarqe në Shqipëri drejt shuarjes natyrore

Shtesa natyrore e popullsisë mbeti pozitive në nivel kombëtar në 2025, por rritja mbështetet pothuajse tërësisht nga Tirana, ndërsa shumica e qarqeve regjistrojnë më shumë vdekje se lindje.

Tirana mbulon krizën e rretheve

Megjithë rënien e fortë të lindjeve, shtesa natyrore e vendit (lindjet minus vdekjet) rezultoi në territor pozitiv në vitin 2025, pasi vdekjet u tkurrën me ritëm më të shpejtë. Megjithatë, të dhënat e fundit të INSTAT tregojnë se ky rezultat në nivel kombëtar është i kushtëzuar nga pesha e kryeqytetit, ndërsa pjesa më e madhe e qarqeve po përjeton tkurrje natyrore të popullsisë.

 

Qarku i Tiranës mbetet bastioni i vetëm i fortë demografik, me një shtesë natyrore pozitive prej 3,803 lindjesh më shumë se vdekje gjatë vitit të kaluar. Kryeqyteti vijon të përqendrojë popullsinë në moshë riprodhuese, të ardhur nga qarqet e tjera për arsye punësimi dhe arsimimi.

 

Pas Tiranës, Durrësi shënon një shtesë modeste prej 501 personash, ndërsa Kukësi (+213) dhe Dibra (+125) mbeten në territor pozitiv, megjithëse me ritme në ngadalësim. Lezha ndodhet në pragun kritik të qëndrueshmërisë, me një shtesë pothuajse zero, vetëm +4 persona.

 

Juglindja dhe Jugu në rënie të thellë

Situata ndryshon ndjeshëm në pjesën tjetër të vendit, ku shtatë qarqe rezultojnë me shtesë natyrore negative, duke konfirmuar se vdekshmëria ka tejkaluar lindshmërinë. Qarku i Korçës mban nivelin më të lartë negativ, me -742 lindje më pak se vdekje, një tregues i qartë i plakjes së përshpejtuar të popullsisë. Fieri regjistron -497, ndërsa Vlora -454. Berati shënon -348, Gjirokastra -323 dhe Shkodra -247. Edhe Elbasani ka kaluar në territor negativ me -120.

 

Emigrimi masiv i të rinjve, plakja e popullsisë dhe pasiguria ekonomike në qarqet jashtë aksit Tiranë–Durrës po krijojnë një cikël tkurrjeje të vazhdueshme. Në shumë zona, popullsia në moshë pune po zvogëlohet, ndërsa vdekshmëria mbetet e lartë për shkak të strukturës së moshuar demografike.

 

Rreziku i polarizimit demografik

Nëse ky trend vijon, brenda dekadës së ardhshme disa prej qarqeve mund të përballen me mungesë serioze të krahut të punës dhe tkurrje të shërbimeve bazë, duke thelluar diferencat territoriale. Shqipëria rrezikon të përqendrojë gjithnjë e më shumë popullsinë dhe aktivitetin ekonomik në Tiranë, ndërsa pjesa tjetër e vendit të përjetojë shuarje natyrore graduale.

 

Burimi: Monitor


Më të lexuarat