Prodhim i lëndëve plasëse për përdorim civil, Ish-Uzina e Poliçanit rinis aktivitetin
Ish-Uzina Mekanike në Poliçan do të rikthehet në funksion për prodhimin e lëndëve plasëse për përdorim civil, me synim furnizimin e sektorit minerar dhe të ndërtimit në vend.
ANFO për përdorim civil në ambientet e ish-uzinës
Ish-Uzina Mekanike në Zonën B të Poliçanit pritet të rifillojë aktivitetin, këtë herë për prodhimin e ANFO-s, një përzierje eksplozive e përdorur kryesisht në miniera, gurore dhe projekte infrastrukturore. Kompania “EXPLO-CHEM INDUSTRIES” ka nisur procedurat për pajisjen me leje mjedisore, duke paraqitur dokumentacionin përkatës për zhvillimin e aktivitetit brenda kompleksit industrial.
Sipas përmbledhjes jo teknike të projektit, linja e prodhimit do të instalohet në godinën nr. 202 të ish-uzinës, e cila më parë ka shërbyer për prodhimin e lëndëve plasëse ushtarake, përfshirë TNT dhe municione të tjera. Kompania ka lidhur kontratë qiraje me Bashkinë Poliçan për shfrytëzimin e ambientit.
Procesi i prodhimit dhe furnizimi me lëndë të parë
Prodhimi i ANFO-s parashikohet të realizohet përmes një përzierjeje fizike të nitratit të amonit me naftë, pa procese kimike shtesë dhe pa çlirim gazrash apo mbetje anësore. Sipas dokumentit, lënda e parë do të sigurohet nga kompani të certifikuara ndërkombëtarisht, ndërsa produkti final do të destinohet për përdorim civil.
Kompania argumenton se prodhimi vendas do të zëvendësojë një pjesë të importeve aktuale në sektorin minerar dhe atë të ndërtimit, duke ulur kostot për operatorët që realizojnë punime në miniera, hapje tunelesh dhe projekte infrastrukturore.
Siguria dhe ndikimi ekonomik
Në dokument theksohet se produkti nuk do të magazinohet në gjendje eksplozive dhe se prodhimi do të realizohet vetëm në bazë të kërkesave të tregut, çka sipas kompanisë rrit standardet e sigurisë. Aktiviteti synon të sjellë përfitime ekonomike në nivel lokal dhe kombëtar, duke rigjallëruar një aset industrial me histori të gjatë në prodhimin e lëndëve plasëse.