Secondary Adv

Eurostat: Në 10 vite shqiptarët u plakën gati 5 herë më shpejt se Europa

Shqipëria ka përjetuar ritmin më të lartë të plakjes në Europë gjatë dekadës së fundit, me moshën mediane që u rrit me 9.6 vite nga 2015 në 2025, kundrejt 2.1 viteve në mesataren e BE-së.

Nga vendi më i ri në kontinent drejt mesatares europiane

Për dekada me radhë, Shqipëria renditej ndër vendet me popullsinë më të re në Europë. Por të dhënat e fundit të Eurostat për vitin 2025 tregojnë një ndryshim të fortë të strukturës demografike. Mosha mediane në vend arriti në 44.3 vjeç, shumë pranë mesatares së Bashkimit Europian prej 44.9 vitesh. Në vitin 2015, mosha mediane ishte vetëm 34.7 vjeç, çka do të thotë se gjysma e popullsisë ishte më e re se ky nivel.

 

Brenda vetëm 10 viteve, mosha mediane në Shqipëri u rrit me 9.6 vite, ritmi më i lartë në kontinent. Në të njëjtën periudhë, mesatarja europiane u rrit me vetëm 2.1 vite. Kjo do të thotë se Shqipëria është plakur gati pesë herë më shpejt se Europa në një dekadë, duke humbur avantazhin e saj tradicional demografik.

 

Ritmi më agresiv në rajon

Transformimi demografik në Shqipëri ka qenë më i shpejtë edhe se në vende të tjera që përballen me tkurrje të fortë të popullsisë. Në Moldavi, për shembull, mosha mediane u rrit me 5.6 vite në të njëjtën periudhë, pothuajse gjysma e ritmit shqiptar.

 

Sot, Shqipëria ka një moshë mediane të krahasueshme me vende si Çekia dhe Lituania, të cilat prej vitesh përballen me sfida serioze demografike. Madje, vendi rezulton më i plakur se fqinjët në Ballkanin Perëndimor: Maqedonia e Veriut ka një moshë mediane 42.1 vjeç, ndërsa Mali i Zi 40.4 vjeç.

 

Pasojat për ekonominë dhe sistemin social

Rritja e moshës mediane në 44.3 vjeç nënkupton një tkurrje të popullsisë në moshë pune, më pak fuqi punëtore aktive dhe një presion në rritje mbi skemën e pensioneve dhe sistemin shëndetësor. Plakja e shpejtë e popullsisë lidhet me emigrimin e të rinjve dhe rënien e lindshmërisë, duke përshpejtuar ndryshimin e strukturës së moshës në vend.

 

Nëse politikat publike nuk arrijnë të frenojnë largimin e të rinjve dhe të nxisin krijimin e familjeve të reja, Shqipëria rrezikon të hyjë në një cikël ku popullsia e moshuar do të dominojë strukturën demografike, duke e bërë më të vështirë ruajtjen e një rritjeje ekonomike të qëndrueshme.

 

Plakja në Bashkimin Europian

Më 1 janar 2025, mosha mesatare e popullsisë së BE-së arriti në 44.9 vjeç. Gjatë periudhës 2015–2025, mosha mediane u rrit në pothuajse të gjitha vendet anëtare, përveç Maltës dhe Gjermanisë, ku pati një rënie të lehtë prej 0.4 vite. Si pasojë e këtyre zhvillimeve, përqindja e popullsisë në moshë pune në BE po zvogëlohet, ndërsa numri relativ i pensionistëve po rritet, tendencë që pritet të thellohet në dekadat e ardhshme.

 

Burimi: Monitor


Më të lexuarat