Indeksi i Bankës Botërore: 1 në 5 shqiptarë i pasigurt për tapinë e tokës
Sipas indeksit global të pronës Prindex, 20 për qind e shqiptarëve ndihen të pasigurt për të drejtat e tyre mbi pronën, një nga nivelet më të larta në Europë.
Pasiguria rritet nga 18 në 20 për qind
Përmes platformës globale për tokën dhe indeksit Prindex (Global Index of Property Rights), raporton se pasiguria mbi pronën në Shqipëri mbetet e lartë dhe në rritje. Sipas të dhënave më të fundit, përqindja e qytetarëve që ndihen të pasigurt për të drejtat e tyre mbi pronën është rritur nga 18% në vitin 2020 në 20% në vitin 2024.
Në një kohë kur vendi synon integrimin europian dhe konsolidimin e ekonomisë së tregut, siguria juridike e pronës mbetet një sfidë e madhe strukturore. Pavarësisht reformave dhe proceseve të digjitalizimit në sistemin e kadastrës, perceptimi i qytetarëve për mbrojtjen e pronës po shkon në drejtim të kundërt.
Kaos me titujt dhe mbivendosjet
Një nga arsyet kryesore të pasigurisë lidhet me problematikat e trashëguara nga proceset e ndarjes së tokës pas viteve ’90, veçanërisht me zbatimin e ligjit 7501 dhe proceset e papërfunduara të kthimit dhe kompensimit të pronave. Në shumë raste, për të njëjtën parcelë ekzistojnë dy ose më shumë certifikata pronësie, duke krijuar situata të mbivendosjes dhe konflikte të zgjatura.
Kjo gjendje “ngrirjeje” juridike bën që asnjëra palë të mos ndihet plotësisht pronar i sigurt, ndërsa prona mbetet e bllokuar për shitje, investim apo përdorim si kolateral bankar.
Legalizimet dhe shërbimet online
Edhe pse mijëra objekte janë legalizuar ndër vite, një pjesë e konsiderueshme e banorëve në zonat informale vijojnë të presin për dokumentacionin përfundimtar. Vonesat burokratike dhe ndryshimet e shpeshta në procedura kanë shtuar ndjesinë e pasigurisë.
Kalimi i shërbimeve të pronësisë në format online, përmes platformës e-Albania, në fazat e para u shoqërua me vështirësi teknike dhe vonesa në trajtimin e kërkesave. Për shumë qytetarë, mungesa e kontaktit fizik me administratën është parë si pengesë në zgjidhjen e çështjeve komplekse të pronësisë.
Stoku i çështjeve në gjykata
Sistemi i drejtësisë, pas procesit të reformës dhe vetingut, përballet me një numër të madh çështjesh të prapambetura. Konfliktet pronësore shpesh zgjasin me vite, madje dekada, duke krijuar një vakum ligjor për qytetarët që nuk mund të disponojnë lirisht pronën e tyre.
Indeksi e rendit Shqipërinë ndër vendet me nivel të lartë pasigurie pronësore në rajon dhe Europë. Fakti që një në pesë shqiptarë ndihet i pambrojtur kur bëhet fjalë për pronën e paluajtshme nënvizon nevojën për reforma më të thella dhe zgjidhje të qëndrueshme në këtë sektor kyç të ekonomisë.