Pezullimi i ministrave nga gjykatat, PS prezanton ndryshimet ligjore Rama: Nuk cënohet gjyqësori
Kryeministri Edi Rama deklaroi se ndryshimet e propozuara në Kodin e Procedurës Penale synojnë të sqarojnë ndarjen e pushteteve dhe nuk cenojnë pavarësinë e gjyqësorit.
Debati për pezullimin e ministrave
Kreu i qeverisë dhe njëherazi kryetar i Partisë Socialiste, Edi Rama, mblodhi grupin parlamentar për të paraqitur propozimet për ndryshime ligjore në Kodin e Procedurës Penale, pas pezullimit nga detyra të zëvendëskryeministres dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku.
Rama e cilësoi situatën si të papranueshme, duke theksuar se ndryshimet nuk synojnë të prekin pushtetin gjyqësor, por të qartësojnë kufijtë mes pushteteve. Sipas tij, pa një kufi të përcaktuar qartë, figurat e larta të ekzekutivit mbeten të ekspozuara ndaj pezullimeve që, sipas tij, cenojnë balancën institucionale.
“Vendosja e këtij kufiri është shumë e rëndësishme për të përcaktuar ndarjen e pushteteve. Kushtetuta njeh tre pushtete të pavarura: gjyqësorin, legjislativin dhe ekzekutivin. Ne jemi të pavarur në të drejtën për të marrë vendime sovrane dhe këto vendime nuk mund të vihen në diskutim për sa kohë nuk burojnë nga qëllime të paligjshme”, u shpreh Rama.
Qëndrimi për dorëheqjen e Ballukut
Kryeministri bëri të ditur se Belinda Balluku i ka paraqitur dorëheqjen tri herë, por ai ka vendosur ta refuzojë në çdo rast. Sipas tij, dorëheqja nën presionin e asaj që e cilësoi si tejkalim të kufijve nga ana e institucioneve të tjera nuk është e pranueshme.
“Belinda Balluku ma ka dorëzuar 3 herë dorëheqjen. I kam në dosje atje. 3 herë! Një herë, kur iu ngrit akuza, herën e dytë kur iu bë pezullimi i parë dhe herën e tretë kur Gjykata Kushtetuese nuk mori vendim. Dhe të trija herët, jam unë që e kam refuzuar dorëheqjen, sepse dorëheqje nën presionin e një fuqie që ka dalë nga territori i vet dhe është futur në territorin e pavarësisë së pushtetit ekzekutiv nuk ka. Jam falënderues për faktin që nuk ka persistuar, por ka vazhduar ta marrë gjithë atë baltë në fytyrë sepse unë nuk e pranoj dorëheqjen deri kur të përcaktohen kushtet dhe këtë se përcakton as prokurori, as gjykatësi i seancës paraprake dhe as media, sepse kështu do i hapnim rrugë një historie që pengon kapacitetet e pushtetit ekzekutiv,” shtoi Rama në fjalën e tij.
Hapi i radhës në Kuvend
Ndërkohë, është bërë e ditur se më 23 shkurt do të mblidhet sërish Këshilli i Rregullores, Mandateve dhe Imunitetit për të shqyrtuar çështjen në fjalë dhe për të marrë një vendim lidhur me rastin e ministres Balluku.