Secondary Adv

Kompensimi për kontributet e sigurimeve pas rritjes së pagës minimale, në mars do të hapen aplikimet

Qeveria do të mbulojë shtesën e kontributeve të sigurimeve për pagën minimale 50 mijë lekë për periudhën janar–shtator 2026, ndërsa aplikimet nisin në mars.

Skema e kompensimit për 9 muaj

Pas rritjes së pagës minimale në 50 mijë lekë nga 1 janari 2026, qeveria ka vendosur të zbatojë sërish skemën e kompensimit për bizneset, me qëllim mbulimin e shtesës së kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore për punonjësit me pagë minimale. Masa do të zbatohet për periudhën janar–shtator 2026, duke synuar t’u japë kohë punëdhënësve të përshtatin kostot e reja.

 

Rritja e pagës minimale me 10 mijë lekë u shoqërua me zotimin e kryeministrit Edi Rama se për 9 muajt e parë të vitit sigurimet për punonjësit me pagë nën 500 euro do të mbulohen nga qeveria, ndërsa punëdhënësit do të paguajnë pagën e re minimale.

 

Aplikimet përmes e-Albania

Sipas burimeve nga institucionet zbatuese, aplikimet për kompensim do të nisin në muajin mars dhe do të kryhen përmes platformës e-Albania. Subjektet do të kenë afat deri më datën 20 të muajit pasardhës për të paraqitur kërkesën.

 

Gjatë marsit, bizneset do të mund të aplikojnë për kompensimin e muajve janar dhe shkurt, ndërsa në vijim aplikimet do të bëhen çdo muaj, pas dorëzimit të listëpagesave për punonjësit e paguar.

 

Kategoritë përfituese dhe masa konkrete e kompensimit do të përcaktohen me Vendim të Këshillit të Ministrave. Edhe këtë vit, procesi do të ndiqet dhe administrohet nga Drejtoria e Përgjithshme e Agjencisë Kombëtare të Punësimit dhe Aftësimit (AKPA).

 

Modeli i vitit 2022 dhe zgjerimi i skemës

Procedura pritet të jetë e ngjashme me atë të vitit 2022, kur pas rritjes së pagës minimale nga 32 mijë në 34 mijë lekë, qeveria miratoi kompensim për shtesën e kontributeve në sektorin fason, peshkimit dhe pyjeve. Në atë periudhë, bizneset përfituan 1,674 lekë për çdo të punësuar përmes aplikimit në e-Albania.

 

Për vitin 2026, pritet që skema të ketë një fashë më të gjerë përfitimi, duke përfshirë edhe sektorë të tjerë të punësimit privat, ndërsa institucionet shtetërore do të përjashtohen nga kjo masë.

 

Efekti financiar i rritjes së pagës minimale

Nga rritja e pagës minimale janë prekur rreth 307,8 mijë punonjës në sektorin privat dhe publik. Efekti pozitiv në të ardhura llogaritet rreth 9 miliardë lekë, ku rreth 7,6 miliardë lekë vijnë nga kontributet shoqërore dhe rreth 1,4 miliardë lekë nga kontributet shëndetësore.

Qeveria ka deklaruar se deri në fund të mandatit paga minimale në shkallë vendi synohet të arrijë në 700 euro.

Burimi: Monitor


Më të lexuarat