Secondary Adv

Objektet e Marinës në Himarë me sipërfaqe mbi 12 mijë m2 jepen me qira për 20 vite

Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit ka hapur garën për dhënien me qira të “Objekteve të Marinës” në Himarë, me kontratë 20-vjeçare dhe fokus zhvillimin turistik pa zgjerim ndërtimor.

Procedura e konkurrimit dhe kushtet

Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit ka shpallur nisjen e procedurave për dhënien me qira, me konkurrim, të pasurive nr. 275, 276, 278, 279, 284 dhe pjesë e pasurisë nr. 285/1, në zonën kadastrale 3095, të njohura si “Objektet e Marinës”, me sipërfaqe totale 12 204 m², të vendosura në Himarë.

 

Sipas dokumentit të konsultuar nga Ekofin.al, prona do të jepet për ushtrimin e veprimtarisë në fushën e turizmit, me kusht të qartë që të ruhet karakteri natyror dhe peizazhi ekzistues, pa shtuar sipërfaqe ndërtimore. Investimi duhet të përqendrohet në rikualifikim, përmirësim funksional dhe ofrim shërbimesh turistike, pa zgjerim fizik të strukturave.

 

Procedura e konkurrimit do të zhvillohet më 24 shkurt 2026, në orën 10:00, në ambientet e ministrisë. Vlera dysheme e qirasë mujore është përcaktuar në 567,564.3 lekë, ndërsa afati i kontratës do të jetë 20 vite.

 

Kriteret e vlerësimit dhe plani i biznesit

Skema e pikëzimit bazohet në tre komponentë kryesorë: 40 pikë për investimin e propozuar, 30 pikë për nivelin e punësimit dhe 30 pikë për tarifën mujore të qirasë. Kjo formulë tregon se pesha më e madhe i jepet cilësisë së projektit dhe ndikimit ekonomik, jo vetëm ofertës financiare.

 

Subjektet e interesuara duhet të paraqesin kërkesën për marrjen me qira, duke deklaruar ofertën për qiranë mujore, qëllimin e përdorimit të pronës dhe treguesit e konkurrimit sipas planit të biznesit. Për kontrata mbi 5 vite, si në këtë rast 20-vjeçare, plani duhet të detajojë pesë vitet e para të aktivitetit dhe të përfshijë projeksione për periudhën pasuese.

 

Dokumentacioni dhe garancitë ligjore

Aplikimi duhet të shoqërohet me vetëdeklarime që përfshijnë të dhënat e NIPT/NUIS, vërtetimin e shlyerjes së detyrimeve tatimore dhe sigurimeve shoqërore, deklarim mbi situatën penale dhe proceset gjyqësore, si dhe, nëse subjekti operon në objekte shtetërore, deklaratë për shlyerjen e detyrimeve përkatëse.

 

Në rast konstatimi të të dhënave të rreme, komisioni ka të drejtë të skualifikojë menjëherë subjektin. Dokumentacioni duhet të jetë origjinal ose i noterizuar dhe dorëzohet në momentin e hapjes së konkurrimit.

 

Potenciali turistik i zonës

Njoftimi vjen në një kohë kur Himara po konsolidohet si një nga destinacionet më dinamike të turizmit bregdetar në vend. Përmes këtij modeli partneriteti me sektorin privat, shteti synon të orientojë asetet publike drejt investimeve cilësore, me ndikim në punësim lokal dhe zhvillim afatgjatë, duke ruajtur njëkohësisht identitetin natyror të territorit.

Burimi: Ekofin.al


Më të lexuarat