Secondary Adv

Mbi 11 mln euro grante KESH-it për rehabilitimin e HEC-it të Fierzës

Qeveria ka miratuar dy grante me vlerë mbi 11 milionë euro nga KfW për rehabilitimin e HEC-it të Fierzës dhe mbështetjen teknike të projektit energjetik.

Grant 10,12 milionë euro për rehabilitimin

Qeveria shqiptare ka miratuar dy marrëveshje granti me Bankën Gjermane për Zhvillim KfW, me vlerë totale 11,120,000 euro, në funksion të rehabilitimit të hidrocentralit të Fierzës dhe mbështetjes teknike të këtij projekti strategjik. Këto grante shoqërojnë marrëveshjen e kredisë prej 40 milionë eurosh që KESH ka përfituar nga KfW.

 

Marrëveshja kryesore parashikon një grant prej 10,12 milionë euro, i destinuar për masa konkrete që lidhen me rehabilitimin e përgjithshëm të hidrocentralit. Fondet jepen nga KfW dhe kanalizohen përmes Ministrisë së Financave te Korporata Elektroenergjetike Shqiptare (KESH), si agjencia zbatuese e projektit. Grantet janë të pakthyeshme, përveç rasteve kur parashikohet ndryshe në marrëveshje.

 

Disbursimi do të kryhet në përputhje me ecurinë e projektit dhe vetëm me kërkesë të KESH-it, ndërsa KfW mund të refuzojë disbursimet pas datës 30 gusht 2030.

Marrëveshja parashikon mundësinë e pezullimit të disbursimeve në rast mosrespektimi të detyrimeve kontraktuale, përdorimi të fondeve jashtë qëllimit të miratuar ose shkeljesh ligjore e financiare që cenojnë zbatimin e projektit. Në këto raste, KfW ka të drejtë të kërkojë shlyerjen e menjëhershme të shumave të disbursuara që nuk provohet se janë përdorur sipas marrëveshjes.

 

1 milion euro për ekspertizë teknike

Marrëveshja e dytë parashikon një grant shtesë prej 1 milion eurosh, i cili do të përdoret për shërbime ekspertize dhe mbështetje teknike në funksion të rehabilitimit të HEC-it të Fierzës. Këto fonde do të mbulojnë shërbimet konsulente dhe kostot përkatëse, përfshirë edhe shpenzimet në valutë të huaj.

 

Edhe në këtë rast, disbursimi do të bëhet sipas ecurisë së shërbimeve dhe me kërkesë të KESH-it, ndërsa KfW mund të refuzojë financimet pas datës 30 dhjetor 2030.

 

Grantet mund të pezullohen ose të kërkohet kthimi i tyre nëse fondet nuk përdoren për qëllimin e përcaktuar ose nëse rrethanat e krijuara rrezikojnë realizimin e projektit.

 

HEC-i i Fierzës, pjesë e paketës së financimit ndërkombëtar

Dy grantet janë pjesë e një pakete më të gjerë financimi ndërkombëtar për rehabilitimin e hidrocentralit të Fierzës, një nga impiantet kryesore të prodhimit të energjisë në vend. Projekti synon rritjen e sigurisë, përmirësimin e efikasitetit dhe qëndrueshmërinë afatgjatë të prodhimit energjetik, me mbështetje nga KfW dhe Kuadri i Investimeve në Ballkanin Perëndimor.

Vendimet kanë hyrë në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare.

Burimi: Ekofin.al


Më të lexuarat