Secondary Adv

Euro në rënie 30 për qind në 10 vjet, turizmi dhe remitancat ndikojnë në forcimin e lekut

Monedha europiane ka humbur rreth 30 për qind të vlerës ndaj lekut në një dekadë, ndërsa remitancat dhe flukset turistike kanë shtuar presionin për forcimin e monedhës vendase.

43 lekë më pak në 10 vite

Nga viti 2015 deri në fund të vitit 2025, euro ka pësuar një rënie të ndjeshme në raport me lekun. Në fillim të kësaj periudhe, 1 euro këmbehej me rreth 140 lekë, ndërsa në dhjetor 2025 kursi zbriti në 97 lekë, ose 43 lekë më pak.

Sipas një analize të qendrës ALTAX për periudhën 2015–2025, euro ka humbur afërsisht 30 për qind të vlerës së saj kundrejt lekut. Studimi thekson se marrëdhënia mes kursit të këmbimit dhe faktorëve makroekonomikë nuk ka qenë lineare dhe as e njëtrajtshme në kohë.

 

Kursi, reagime të ndryshme sipas fazave ekonomike

Analiza vë në dukje se kursi i këmbimit nuk ka reaguar njësoj në të gjitha situatat ekonomike, por ka shfaqur sjellje të ndryshme në varësi të ciklit ekonomik, nivelit të presionit në treg dhe strukturës së flukseve valutore.

Lëvizjet e lekut, sipas ekspertëve, nuk mund të shpjegohen vetëm me një mekanizëm klasik monetar. Ato janë produkt i një strukture ekonomike të karakterizuar nga euroizim i lartë, sezonalitet i theksuar, ndërhyrje selektive institucionale dhe asimetri në tregun valutor.

 

Turizmi dhe remitancat, faktorë kyç

Një nga gjetjet kryesore është mungesa e një mekanizmi të qartë vetërregullues të kursit, ndërkohë që flukset valutore nga turizmi dhe remitancat kanë pasur ndikim të drejtpërdrejtë në forcimin e lekut.

Rritja e ndjeshme e numrit të turistëve në vitet e fundit, së bashku me dërgesat e emigrantëve, ka krijuar një tepricë euroje në tregun vendas. Kjo ofertë e shtuar nuk është kompensuar plotësisht nga kërkesa për importe apo investime, duke prodhuar presion të vazhdueshëm për mbiçmimin e lekut.

Në këtë kontekst, ecuria e kursit të këmbimit gjatë dekadës së fundit pasqyron më shumë strukturën dhe burimet e ekonomisë shqiptare sesa një reagim të drejtpërdrejtë ndaj politikave monetare.

Burimi: Euronews.al


Më të lexuarat