Secondary Adv

Projekti për klimën dhe bujqësinë sërish ngec, BB: Ka vonesa të theksuara në afate

Projekti 70 milionë dollarësh për rezistencën klimatike dhe zhvillimin bujqësor po përballet me vonesa rreth 18 muaj dhe disbursim vetëm 8 për qind, sipas Bankës Botërore.

Progres i kufizuar financiar dhe operacional

Zbatimi i projektit “Për Rezistencë Klimatike dhe Zhvillim Bujqësor”, i financuar nga Banka Botërore me një kredi prej 70 milionë USD, po ecën më ngadalë se parashikimi fillestar. Projekti përbëhet nga tre komponentë kryesorë dhe synon të forcojë qëndrueshmërinë e sektorit bujqësor përballë ndryshimeve klimatike.

 

Në vlerësimin më të fundit të Bankës Botërore, ecuria e projektit është klasifikuar sërish si “i pakënaqshëm në mënyrë të moderuar”. Sipas raportit të zbatimit, pas një fillimi premtues, implementimi ka pësuar vonesa të konsiderueshme, me një prapambetje të vlerësuar rreth 18 muaj dhe nivel të ulët disbursimi, aktualisht në vetëm 8 për qind.

 

Investimet kryesore ende jashtë fazës së plotë të zbatimit

Progresi drejt objektivave të zhvillimit mbetet nën pritshmëri, pasi komponentët kryesorë të investimeve nuk kanë avancuar sipas planit fillestar. Aktivitetet infrastrukturore dhe ndërhyrjet për rritjen e qëndrueshmërisë bujqësore nuk kanë hyrë ende në fazë të plotë zbatimi.

 

Raporti thekson se ritmi i ngadaltë kërkon ndërhyrje më të fortë institucionale. “Ruajtja dhe ndërtimi mbi progresin përgatitor të mëparshëm kërkon angazhim të fortë drejtues, vendimmarrje në kohë dhe koordinim më të mirë mes institucioneve zbatuese”, nënvizon dokumenti.

 

Plan veprimi për rikthim në trajektoren e synuar

Banka Botërore thekson se autoritetet përgjegjëse, përfshirë Ministrinë e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, kanë hartuar një plan veprimi për të përshpejtuar zbatimin dhe për ta rikthyer projektin në trajektoren e planifikuar.

 

“Zbatimi strikt i planit të veprimit dhe mbikëqyrja në nivel të lartë do të jenë vendimtare për përmirësimin e performancës dhe arritjen e objektivave brenda periudhës së mbetur të projektit”, thuhet në vlerësimin e Bankës.

 

Projekti u miratua në mars 2023 dhe synon rritjen e konkurrueshmërisë dhe rezistencës ndaj ndryshimeve klimatike të zinxhirëve prioritarë agroushqimorë, përmes përmirësimit të sistemeve bujqësore, aksesit në tregje dhe aftësisë për të përballuar goditjet klimatike.

Burimi: Monitor


Më të lexuarat