Secondary Adv

Hotelet, të huajt u rritën me 47.6 për qind kryesojnë italianët, Kosova e dyta

Strukturat akomoduese shënuan rritje të fortë në dhjetor 2025, me italianët dhe vizitorët nga Kosova që dominuan netëqëndrimet në vend.

Italianët në krye, Kosova e dyta

Të dhënat zyrtare të Institutit të Statistikave tregojnë se në Dhjetor 2025 shumica e vizitorëve jo-rezidentë që u akomoduan në strukturat pritëse në Shqipëri vinin nga Italia, me 25% të totalit. Në vend të dytë renditet Kosova me 16%, ndërsa Gjermania zë 6%.

 

Franca dhe Shtetet e Bashkuara kontribuuan me nga 4% secila, ndërsa 45% e vizitorëve jo-rezidentë ishin nga vende të tjera. Sipas publikimit të INSTAT, këto të dhëna reflektojnë vijimin e rritjes së turizmit hyrës nga tregjet kryesore të rajonit dhe Europës.

 

Rritje e fortë e vizitorëve dhe netëqëndrimeve

Në total, gjatë muajit Dhjetor 2025, strukturat akomoduese regjistruan një rritje të ndjeshme krahasuar me të njëjtin muaj të vitit të kaluar. Vizitorët gjithsej u rritën me 27,2%, ku ata jo-rezidentë shënuan një rritje prej 47,6%, ndërsa vizitorët rezidentë u rritën me 3,8%.

 

Edhe netëqëndrimet ndoqën të njëjtin trend pozitiv, me një rritje totale prej 26,2%. Netëqëndrimet e jo-rezidentëve u rritën me 39,2%, ndërsa ato të rezidentëve me 8,7%.

 

Rritje e ndjeshme e vizitorëve jo-rezidentë u evidentua si në zonat jo-bregdetare, me 37,2%, ashtu edhe në hotelet dhe akomodimet e ngjashme, me 47,6%.

 

Shfrytëzimi i dhomave dhe bilanci vjetor

Norma e shfrytëzimit të dhomave në hotele arriti në 20,4%, krahasuar me 18,1% në Dhjetor 2024, duke reflektuar një përmirësim të aktivitetit në fund të vitit.

 

Muajt e fundit të vitit rezultuan relativisht të kënaqshëm për sektorin e turizmit, me një fokus të shtuar tek turizmi kulturor. Shqipëria e mbylli vitin me mbi 12 milionë hyrje nga të huajt, ndërsa vetëm muaji dhjetor regjistroi mbi 600 mijë hyrje.

Burimi: Monitor


Më të lexuarat