Secondary Adv

Eksportet e nisin dhe 2026 me rënie, bie fasoni dhe mineralet

Eksportet e mallrave u tkurrën me 4,5% në janar 2026, të goditura nga rënia e mineraleve dhe tekstileve, ndërsa edhe importet shënuan ulje.

Tkurrje e eksporteve në nisje të vitit

Sipas INSTAT, në Janar 2026 eksportet e mallrave arritën vlerën 26,7 miliardë lekë, duke u ulur me 4,5% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë dhe me 0,3% në raport me Dhjetor 2025. Në rënien vjetore ndikimin kryesor negativ e dhanë grupet “Minerale, lëndë djegëse, energji elektrike” me -2,9 pikë përqindje, “Tekstile dhe këpucë” me -1,8 pikë përqindje dhe “Produkte kimike dhe plastike” me -0,4 pikë përqindje. Nga ana tjetër, pozitivisht ndikuan “Makineri, pajisje dhe pjesë këmbimi” me +1,4 pikë përqindje dhe “Lëkurë dhe artikujt prej tyre” me +0,1 pikë përqindje.

 

Prej të paktën tre vitesh eksportet nuk po arrijnë të rikthehen në rritje të qëndrueshme. Gjatë vitit 2025, ato arritën në 346 miliardë lekë, duke u ulur me 6,1%. Në vitin 2024 rënia ishte 16,2%, ndërsa në 2023 ishte 9,5%. Të dhënat historike tregojnë se që nga viti 2015 eksportet kanë rënë në shtatë vite, ndërsa rritje u regjistrua vetëm në periudhat 2017–2018 dhe 2021–2022, kryesisht si rikuperim pas pandemisë.

 

Edhe importet në rënie

Importet e mallrave në Janar 2026 arritën në 57,9 miliardë lekë, duke u ulur me 4,0% krahasuar me një vit më parë dhe me 27,5% krahasuar me Dhjetor 2025. Në tkurrjen vjetore ndikuan negativisht “Materiale ndërtimi dhe metale” me -2,1 pikë përqindje, “Minerale, lëndë djegëse dhe energji elektrike” me -2,0 pikë përqindje dhe “Produkte kimike dhe plastike” me -1,5 pikë përqindje. Ndërkohë, pozitivisht kontribuoi grupi “Makineri, pajisje dhe pjesë këmbimi” me +2,1 pikë përqindje.

 

Deficiti tregtar ngushtohet

Deficiti tregtar në Janar 2026 ishte 31,1 miliardë lekë, duke u ulur me 3,6% krahasuar me Janar 2025 dhe me 41,3% në raport me Dhjetor 2025, çka tregon një përmirësim të bilancit tregtar në fillim të vitit.

 

Tregtia sipas partnerëve

Në Janar 2026, rënia më e madhe e eksporteve u regjistrua me Italinë me 3,6% dhe Kosovën me 2,0%. Ndërkohë, rritje u shënua me Gjermaninë me 30,2% dhe Greqinë me 31,8%.

 

Sa i përket importeve, ulja më e madhe u regjistrua me Italinë me 10,3% dhe Greqinë me 3,3%, ndërsa rritje pati me Kinën me 1,8% dhe Turqinë me 13,5%.

 

Shkëmbimet tregtare me vendet e Bashkimit Europian përbëjnë 55,4% të tregtisë totale. Në Janar 2026, 74,1% e eksporteve u drejtuan drejt vendeve të BE-së, ndërsa 46,8% e importeve erdhën nga këto vende.

Burimi: Monitor


Më të lexuarat