Secondary Adv

Ekspozitë historike e Bankës së Shqipërisë në Prishtinë, përkon me përvjetorin e pavarësisë

Banka e Shqipërisë çel në Prishtinë ekspozitën “Paraja rrëfen: 100 vjet jetë dhe ngjarje (1925–2025)”, në kuadër të 100-vjetorit të institucionit dhe të monedhës kombëtare.

Një shekull histori monetare në Prishtinë

Në ambientet e Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës në Prishtinë u hap ekspozita historike e Bankës së Shqipërisë “Paraja rrëfen: 100 vjet jetë dhe ngjarje, Banka e Shqipërisë (1925-2025)”, një nismë kulturore dhe edukuese që sjell për publikun historinë e parasë shqiptare dhe të bankës qendrore përgjatë një shekulli.

 

Ekspozita organizohet në një moment me simbolikë të veçantë, mes dy përvjetorëve të rëndësishëm: 100-vjetorit të themelimit të Bankës së Shqipërisë në vitin 1925 dhe 100-vjetorit të hedhjes në qarkullim të monedhës së parë kombëtare shqiptare në vitin 1926. Zgjedhja e Prishtinës si ndalesë e kësaj ekspozite pasqyron historinë e përbashkët dhe lidhjet e thella institucionale, kulturore dhe ekonomike ndërmjet shqiptarëve.

 

Mesazh për stabilitet dhe edukim financiar

Ceremonia e çeljes u përshëndet nga Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, Ahmet Ismaili, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, si dhe Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko. Më pas, ekipi i Bankës së Shqipërisë prezantoi përmbajtjen e ekspozitës dhe u zhvillua vizita në hapësirën ekspozuese.

 

Në fjalën e tij, Guvernatori Sejko theksoi se ekspozita synon të tregojë jo vetëm historinë institucionale të Bankës së Shqipërisë, por edhe historinë e përditshmërisë së qytetarëve: mënyrën se si janë paguar, si kanë kursyer, si kanë përballuar kriza dhe si kanë ndërtuar stabilitetin dhe mirëqenien ekonomike ndër breza. Sipas tij, monedhat dhe kartëmonedhat, përveç vlerës së shkëmbimit, mbartin simbole, trashëgimi dhe identitet, duke pasqyruar historinë e shtetit, ekonominë dhe besimin publik.

 

Tre epoka dhe një arkiv i pasur dokumentar

Ekspozita paraqet rrugëtimin e parasë dhe të bankës qendrore shqiptare në tri epoka kryesore historike, të formësuara nga ndryshimet politike, zhvillimet gjeopolitike dhe ngjarjet ekonomike, nga standardi i arit dhe ekonomia e planifikuar deri te kornizat moderne të politikës monetare të orientuara drejt stabilitetit të çmimeve.

 

Një vend të veçantë zë fondi dokumentar, i mbështetur në arkivat e Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave në Tiranë dhe të Arkivit të Shtetit Italian në Romë, që dëshmon edhe veprimtarinë e Bankës Kombëtare të Shqipnis në qytete të ndryshme të Kosovës në fillim të viteve ’40.

 

Përmes kësaj nisme, Banka e Shqipërisë synon që historia të mos mbetet vetëm për t’u parë, por edhe për t’u kuptuar dhe përjetuar si mjet edukimi dhe ndërgjegjësimi financiar. Ekspozita do të qëndrojë e hapur nga 16 deri më 20 shkurt 2026 në ambientet e Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës në Prishtinë.

Burimi: Ekofin.al


Më të lexuarat