Ku janë 98 zonat me përparësi zhvillimi, 15 bashki përcaktojnë territoret ku do investohet
Qeveria ka miratuar 98 zona me përparësi zhvillimi në 15 bashki, me një sipërfaqe totale rreth 108 mijë hektarë, në kuadër të zbatimit të Paketës së Maleve.
98 zona në 15 bashki, 108 mijë hektarë për investime
Një sërë bashkish në vend kanë përfunduar procesin e përcaktimit të zonave me përparësi zhvillimi, të miratuara nga qeveria në kuadër të zbatimit të “Paketës së Maleve”, duke i hapur rrugë investimeve në këto territore. Në total janë shpallur 98 zona në 15 bashki, me një sipërfaqe të përgjithshme prej rreth 108 mijë hektarësh.
Në Bashkinë Belsh janë përcaktuar 5 zona me 409.6 hektarë në dispozicion për investime. Bashkia Elbasan ka shpallur 4 zona me një sipërfaqe totale prej 3,591.7 hektarësh, ndërsa Përmeti dhe Skrapari kanë miratuar nga një zonë secila, me përkatësisht 200 dhe 258 hektarë.
Shkodër, Dibër dhe Tepelenë me sipërfaqet më të mëdha
Bashkia Mat ka përcaktuar 3 zona me 620 hektarë, ndërsa Shijaku ka shpallur 20 zona me 302 hektarë gjithsej. Në Shkodër janë miratuar 5 zona me një total prej 4,420 hektarësh. Bashkia Klos ka 9 zona me 10,356 hektarë, ndërsa Vau i Dejës 6 zona me 9,565 hektarë.
Në Dibër janë përcaktuar 16 zona me 16,620 hektarë. Memaliaj ka 3 zona me 8,309 hektarë dhe Tepelena 3 zona që shtrihen në 32,705 hektarë. Së fundmi janë miratuar edhe 5 zona në Bashkinë Krujë me një sipërfaqe prej 14,233 hektarësh. Në Maliq janë 10 zona me 6,260 hektarë, ndërsa në Vorë janë shpallur 7 zona me 126 hektarë.
Çfarë parashikon Paketa e Maleve
Aktivitetet që do të zhvillohen në këto zona përfshijnë projekte me natyrë zhvillimi ekonomik, industrial dhe turistik. Bashkitë kishin afat deri në fund të tetorit për të përcaktuar zonat me përparësi zhvillimi, të cilat më pas u miratuan me vendim qeverie për t’u dhënë akses investimeve.
Sipas skemës së miratuar, 500 fituesite parë të projekteve të investimit në këto zona do të përjashtohen nga taksat për 10 vite. Zbatimi i kësaj pakete synon të nxisë zhvillimin ekonomik dhe punësimin në zonat malore dhe rurale, duke tërhequr kapital vendas dhe të diasporës në territore me potencial të pashfrytëzuar.