Trendi i emigracionit është thelluar pas pandemisë, 138 mijë ikje më shumë se kthime
Migracioni neto në Shqipëri mbetet negativ prej më shumë se një dekade, ndërsa pas pandemisë ritmet e largimeve janë përshpejtuar ndjeshëm, me 138 mijë ikje më shumë se kthime në periudhën 2021–2025.
138 mijë largime neto në katër vite
Diferenca mes atyre që hyjnë për të jetuar në Shqipëri dhe atyre që largohen vijon të jetë negative përgjatë gjithë periudhës 2011–2025. Sipas të dhënave zyrtare të INSTAT, nga 1 janari 2021 deri më 1 janar 2025 vendi ka regjistruar 138 mijë persona më shumë që janë larguar sesa janë kthyer.
Largimet kanë qenë të qëndrueshme prej më shumë se një dekade, por pas pandemisë së Covid-19 fenomeni është përshpejtuar, duke arritur nivelet më të larta historike të dekadës së fundit.
Luhatjet 2011–2020 dhe përshpejtimi pas Covid-19
Në vitin 2011 migracioni neto ishte rreth -18,765 persona dhe mbeti në intervale të ngjashme deri në vitin 2015, kur arriti rreth -20,600 persona. Në vitet 2016–2018 u vu re një përmirësim i përkohshëm, me një nivel prej -9,473 persona në 2016 dhe rreth -15 mijë në 2017–2018, si pasojë e kthimit të një pjese të azilkërkuesve në Gjermani pas valës së vitit 2015.
Pas vitit 2019, prirja u thellua sërish. Në 2019 migracioni neto arriti -23,082 persona, ndërsa në 2020 ishte -16,684 persona, vit i ndikuar nga kufizimet e pandemisë që ngadalësuan përkohësisht lëvizjet ndërkombëtare.
Pas pandemisë, ritmet u rritën ndjeshëm: -32,853 persona në 2021, -32,497 në 2022 dhe kulmi në 2024 me -43,761 persona, niveli më i lartë i regjistruar, i ndikuar edhe nga korrektimet e Censit 2023. Në 2025 migracioni neto mbeti i lartë, rreth -28,836 persona.
Lejet e qëndrimit në BE dhe ikja e të rinjve
Tendenca konfirmohet edhe nga të dhënat e Eurostat, sipas të cilave për periudhën 2021–2024 vendet anëtare të BE-së kanë dhënë 284,585 leje qëndrimi për herë të parë për shtetas shqiptarë. Lejet e punës zënë gati një të tretën e totalit dhe janë dyfishuar krahasuar me periudhën para pandemisë.
Grup-mosha 18–34 vjeç përbën rreth 80% të emigrantëve të rinj shqiptarë. Largimet tashmë përfshijnë jo vetëm të papunët, por edhe studentë të shkëlqyer, profesionistë të rinj në shëndetësi, IT dhe zanate të kualifikuara, si dhe raste të shumta bashkimesh familjare.
Rritja e emigracionit për frymë dhe tkurrja e grupit të të rinjve po krijojnë një cikël të përshpejtuar boshatisjeje, me pasoja afatgjata për tregun e punës, strukturën demografike dhe zhvillimin ekonomik të vendit.