Secondary Adv

Sot në Tiranë Ministeriali i Korridorit VIII, fokus zhvillimi ekonomik dhe bashkëpunimi rajonal

Tirana pret Ministerialin e Korridorit VIII me pjesëmarrjen e vendeve të rajonit dhe BE-së, në fokus lidhshmëria, siguria dhe integrimi ekonomik.

Tirana qendër e dialogut rajonal për Korridorin VIII

Këtë të mërkurë, Tirana shndërrohet në qendrën e dialogut rajonal për riafirmimin e rëndësisë strategjike të Korridorit VIII, një nga projektet më të rëndësishme infrastrukturore dhe gjeopolitike në rajon. Ministeriali do të zhvillohet në Pallatin e Brigadave, me pjesëmarrjen e delegacioneve nga Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Bullgaria, Italia dhe Rumania, si dhe përfaqësues nga vende partnere.

 

Takimi synon të thellojë bashkëpunimin ndërqeveritar për përshpejtimin e zhvillimit të Korridorit VIII si një arterie strategjike transporti, zhvillimi ekonomik dhe sigurie, duke kontribuar në forcimin e integrimit rajonal dhe ndërlidhjen me rrjetet kryesore evropiane.

 

Fokus në lidhshmëri, siguri dhe prosperitet të përbashkët

Seanca plenare do të trajtojë temën “Korridori VIII në momentin strategjik të Evropës: Lidhshmëria, qëndrueshmëria përmes lëvizshmërisë ushtarake dhe prosperiteti i përbashkët përmes integrimit”, duke theksuar rolin e këtij korridori si një shtyllë strategjike që bashkon dimensionin ekonomik, të sigurisë dhe të ndërlidhjes rajonale.

 

Gjatë ministerialit pritet miratimi i një deklarate të përbashkët, ndërsa programi përfshin gjithashtu takime dypalëshe dhe një konferencë të përbashkët për shtyp.

 

Forumi Ekonomik në Bankën e Shqipërisë

Në kuadër të ministerialit do të zhvillohet edhe Forumi Ekonomik për Korridorin VIII, me temë “Nga Lidhja Strategjike drejt Rritjes Ekonomike Rajonale: Potenciali Ekonomik i Korridorit VIII”, në ambientet e Bankës së Shqipërisë (Godina nr. 2, ish Hotel Dajti).

 

Forumi do të bashkojë autoritetet publike, institucionet evropiane, institucionet financiare ndërkombëtare dhe aktorët ekonomikë për të avancuar dialogun mbi zhvillimin ekonomik, lidhshmërinë dhe investimet përgjatë Korridorit VIII. Diskutimet do të fokusohen në lehtësimin e tregtisë dhe zhvillimin industrial, me synim rritjen e konkurrueshmërisë rajonale dhe mobilizimin e instrumenteve evropiane e ndërkombëtare të financimit.

 

Axhenda e Ministerialit

Axhenda nis në orën 09:45 me mbërritjen e delegacioneve dhe pritjen zyrtare, ndërsa në orën 10:00 zhvillohet sesioni ministerial me formatin 1+3. Fjalët e hapjes do të mbahen nga Elisa Spiropali, Ministre për Evropën dhe Punët e Jashtme e Shqipërisë.

 

Do të mbajnë fjalën përfaqësuesit e Italisë, Antonio Tajani, Zv/Kryeministër dhe Ministër për Punët e Jashtme dhe Bashkëpunim Ndërkombëtar; Maqedonisë së Veriut, Timčho Mucunski, Ministër për Punët e Jashtme dhe Tregtinë e Jashtme; Bullgarisë, Nikolay Pavlov, Zv/Ministër për Punët e Jashtme; si dhe Octavian Şerban, Ambasador i Rumanisë në Shqipëri. Fjalët përmbyllëse do të mbahen sërish nga Elisa Spiropali.

Pas fotos familjare dhe pushimit për kafe, në orën 11:35 do të mbahet konferenca për shtyp, ndërsa në 12:30 është parashikuar dreka zyrtare e organizuar nga Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme në Pallatin e Brigadave.

 

Burimi: Shqiptarja


Më të lexuarat