Secondary Adv

Vlorë, 2.6 milionë euro për rikonstruksionin e rrugëve në disa zona të qytetit

Bashkia e Vlorës ka planifikuar një fond prej 255.8 milionë lekësh, rreth 2.6 milionë euro, për ndërhyrje në rrugë të paasfaltuara ose të degraduara në zona qendrore dhe periferike.

Dy lote për rikualifikimin e infrastrukturës

Procedura e shpallur nga Bashkia e Vlorës parashikon ndarjen e punimeve në dy lote, me synimin për të përmirësuar gjendjen e një numri të konsiderueshëm rrugësh në qytet. Fondi limit për të dy lotet arrin në 255.8 milionë lekë, ose rreth 2.6 milionë euro, ndërsa punimet do të përfshijnë si zona kryesore urbane, ashtu edhe lagje periferike.

 

Rrugët e përfshira në lotin e parë

Në lotin e parë parashikohen ndërhyrje në rrugët “Azem Sulo”, “Ibrahim Shyti”, “Mustafa Bello”, “Dush Strati”, “Kujtim Beqiri”, “Niko Hoxha”, “Pelivan Leskaj”, rruga “Kosova” në të dy kahët e saj, Parkimi “San Giorgio”, rruga “Duro Shaska”, si edhe segmente të tjera si “Zenel Murra”. Qëllimi është asfaltimi dhe rehabilitimi i segmenteve që aktualisht paraqesin amortizim të theksuar.

 

Ndërhyrjet në lotin e dytë

Loti i dytë përfshin rrugët “Anita Bitri”, “Demokracia”, “Dervish Hekali”, “Musa Jonuzi”, “Dëshmorët”, “Enriko Veizi”, “Enver Jaho”, “Haki Isufi”, “Hysni Alimerko”, “Rakip Malile”, “Kastriot Gjini”, “Kostandin Kristoforidhi”, “Kozma Nesturi”, “Merjeme Gjomema”, “Gani Alushi”, si edhe sheshin “Te hyrja e qytetit, Stacioni i Autobuzit”, rrugën “Shefit Zanaj”, sheshin pas kullave “Aleksandria” dhe rrugën “Zaho Koka”.

 

Afati dhe konteksti i investimit

Bashkia parashikon që punimet të realizohen brenda një afati 12-mujor nga momenti i lidhjes së kontratës, çka do të thotë se një pjesë e ndërhyrjeve mund të zhvillohen edhe gjatë kulmit të sezonit turistik. Investimi vjen në një kohë kur Vlora po përjeton rritje të interesit turistik dhe fluks më të lartë vizitorësh, duke e bërë përmirësimin e infrastrukturës rrugore një nevojë prioritare.

 

Qyteti ka qenë së fundmi në fokus të disa projekteve infrastrukturore, përfshirë ndërhyrje në sistemin e kullimit të ujërave dhe projekte të mëdha të udhëhequra nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit, si rikualifikimi i tregut të qytetit dhe bulevardi i palmave dhe agrumeve, me vlera disa milionë euro.

 

Burimi: Monitor


Më të lexuarat