Secondary Adv

Llogaritë bankare arritën shifrën më të lartë historike vitin e kaluar

Numri i llogarive bankare në Shqipëri u rrit me 20.6 për qind në vitin 2025, duke arritur nivelin më të lartë historik prej 4.16 milionë llogarish.

Rritje e fortë për të katërtin vit radhazi

Të dhënat zyrtare nga Banka e Shqipërisë tregojnë se në fund të vitit 2025 numri total i llogarive bankare arriti në 4.16 milionë, me një shtesë prej mbi 710 mijë llogarish krahasuar me një vit më parë. Rritja vjetore prej 20.6 për qind konfirmon zgjerimin e mëtejshëm të depërtimit të produkteve dhe shërbimeve bankare në ekonomi.

Ky tregues konsiderohet një sinjal i forcimit të përfshirjes financiare dhe i përdorimit më të gjerë të sistemit bankar nga qytetarët dhe bizneset.

 

Individët dhe bizneset shtojnë praninë në banka

Numri i llogarive të subjekteve rezidente u rrit si në segmentin e individëve ashtu edhe në atë të bizneseve. Llogaritë e individëve rezidentë arritën në 3.7 milionë, me një rritje prej 20 për qind në baza vjetore.

 

Një shtysë të rëndësishme ka dhënë ligji “Për llogarinë e pagesave me shërbime bazike”, i cili hyri në fuqi në vitin 2024. Ky ligj detyron bankat të ofrojnë llogari pagesash me shërbime bazë për të gjithë konsumatorët, pavarësisht nivelit të të ardhurave, statusit të punësimit apo historikut të aftësisë paguese. Për përfituesit e ndihmës ekonomike dhe skemave sociale, shërbimet bazike duhet të ofrohen me tarifë zero, ndërsa për kategoritë e tjera me tarifa të arsyeshme.

 

Edhe bizneset regjistruan një rritje të fortë të llogarive. Në fund të vitit 2025, ato zotëronin rreth 379 mijë llogari bankare, me një rritje prej 30 për qind krahasuar me një vit më parë, duke rikuperuar rënien e shënuar në vitin 2023.

 

Llogaritë e jorezidentëve dhe trendi afatgjatë

Numri i llogarive të jorezidentëve arriti në mbi 76 mijë, me një rritje prej 6.2 për qind në krahasim me vitin 2024. Ato përbëjnë rreth 1.8 për qind të totalit të llogarive në bankat shqiptare dhe dominohen kryesisht nga individë.

 

Rekordi i mëparshëm i llogarive bankare ishte shënuar në vitin 2016, me afro 3.5 milionë llogari. Në periudhën 2016–2020 u regjistrua një rënie e vazhdueshme, kryesisht për shkak të konsolidimit të sektorit bankar dhe uljes së numrit të bankave në treg. Pas vitit 2021, trendi ndryshoi, me një rritje të qëndrueshme të nxitur nga formalizimi i ekonomisë, përmirësimi i aktivitetit ekonomik dhe zgjerimi i përdorimit të produkteve financiare.

Burimi: Monitor


Më të lexuarat