Kursi zyrtar i këmbimit shënon minimum të ri, ndërsa oferta e lartë e valutës po ushtron presion të vazhdueshëm mbi euron.
Tepricë valute dhe kërkesë e dobët
Kursi i këmbimit Euro-Lek ka vijuar rënien edhe gjatë kësaj jave, duke prekur një minimum të ri historik. Sipas kursit zyrtar të publikuar nga Banka e Shqipërisë, euro u këmbye me 96.35 lekë, niveli më i ulët i regjistruar ndonjëherë.
Agjentët e tregut shprehen se tregu valutor vazhdon të karakterizohet nga ofertë e bollshme e euros, ndërsa kërkesa për valutë mbetet e dobët. Sipas tyre, gjatë muajve të parë të vitit oferta është ndikuar edhe nga eksportet e energjisë elektrike të realizuara nga Korporata Elektroenergjetike Shqiptare, për shkak të kushteve të favorshme hidrike. Vetëm në muajin shkurt janë zhvilluar pesë procedura shitjeje të energjisë në tregjet e jashtme.
Ndërhyrjet e Bankës së Shqipërisë
Rënia e euros po thellohet edhe në tremujorin e parë të vitit, një prirje e pazakontë krahasuar me vitet e mëparshme. Për të amortizuar forcimin e mëtejshëm të lekut, Banka e Shqipërisë ka vijuar ndërhyrjet përmes blerjes së valutës në tregun e brendshëm.
Sipas të dhënave zyrtare, për nëntë muajt e parë të vitit 2025 janë blerë 825.6 milionë euro, niveli më i lartë historik për këtë periudhë. Krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, blerjet janë rritur me 52.2 për qind.
Për këtë vit, banka qendrore ka rritur objektivin e blerjeve të planifikuara në intervalin 330–450 milionë euro, nga 270–350 milionë euro që ishte parashikuar më parë, me synim rritjen e rezervës valutore. Megjithatë, institucioni thekson se ndërhyrjet nuk synojnë mbrojtjen e një niveli të caktuar të kursit, por zbutjen e shpejtësisë së luhatjeve.
Turizmi, investimet dhe pasojat për eksportuesit
Sipas analizave të Bankës së Shqipërisë, rënia e kursit të euros lidhet kryesisht me rritjen e eksporteve të shërbimeve, veçanërisht turizmit, si dhe me hyrjet e investimeve të huaja, sidomos në sektorin e pasurive të paluajtshme. Këto zhvillime kanë krijuar tepricë valute në tregun vendas dhe, së bashku me rritjen e besimit në monedhën kombëtare, kanë ushtruar presion për forcimin e lekut.
Forcimi i vazhdueshëm i lekut ka favorizuar importet dhe ka ndikuar në uljen e inflacionit të importuar. Megjithatë, nga ana tjetër, ai po godet konkurrueshmërinë e sektorëve eksportues, me pasoja të ndjeshme veçanërisht për industrinë fason.