Secondary Adv

Rrëshqitje në aksin Librazhd–Pogradec, ARRSH: Kufizohet trafiku, plan për korsi provizore

Thellimi i çarjeve në segmentin Librazhd–Pogradec ka detyruar kufizimin e qarkullimit në një korsi dhe ndërhyrje emergjente për garantimin e sigurisë.

Thellohen çarjet në Arrat e Gurrës

Segmenti rrugor Librazhd–Pogradec, në zonën e njohur si Arrat e Gurrës, po përballet me përkeqësim të situatës për shkak të thellimit të çarjeve në trupin e rrugës. Sipas Autoritetit Rrugor Shqiptar, çarjet e vjetra dhe ato të reja të konstatuara më herët janë zgjeruar më tej, duke krijuar rrezik për përdoruesit e këtij aksi.

 

“Në aksin Librazhd-Pogradec, në vendin e quajtur Arrat e Gurrës, është konstatuar se çarjet e vjetra dhe të reja që ishin shfaqur në këtë zonë janë thelluar akoma më shumë, duke paraqitur një situatë të pasigurt për përdoruesit e rrugës. Në këto kushte, Autoriteti Rrugor Shqiptar ka ndërmarrë menjëherë masat paraprake emergjente për parandalimin e aksidenteve të mundshme”, njofton ARRSH.

 

Kufizim qarkullimi dhe semaforë

Duke nisur nga sot, në koordinim me Policinë e Shtetit, lëvizja e mjeteve do të kufizohet në një korsi në zonën ku ka ndodhur rrëshqitja, ndërsa do të vendoset semafor për disiplinimin e trafikut dhe menaxhimin e kalimit të mjeteve në mënyrë alternative.

 

“Duke filluar që sot, në koordinim dhe me Policinë e Shtetit, do të ketë kufizim të lëvizjes me një korsi në vendin e rrëshqitjes, duke vendosur semafor për disiplinimin e trafikut”, thekson ARRSH.

 

Plan për korsi provizore me dy sense

Në vijim, autoritetet do të ndërmarrin masa për realizimin e një korsie tjetër provizore në të majtë të trupit të rrugës, me qëllim rikthimin e qarkullimit në dy sense dhe minimizimin e vonesave për drejtuesit e mjeteve.

 

“Në vijim, do të merren masa për realizimin e një korsie tjetër provizore në të majtë të trupit të rrugës, për të siguruar qarkullimin e mjeteve me dy sense. Kërkojmë mirëkuptimin e drejtuesve të mjeteve si dhe të banorëve të zonës, për këtë ndërhyrje në rrugë dhe kufizimin e lëvizjes në këtë segment, por që vlerësohet e domosdoshme për sigurinë rrugore”, përfundon njoftimi i ARRSH-së.

 

Burimi: Scan


Më të lexuarat