Secondary Adv

Koçiu: Do të rrisim pagat në Policinë e Shtetit, sistemi i adresave ende jo funksional

Ministrja e Brendshme njoftoi rritje pagash për 720 efektivë të strukturave elitare, ndërsa paralajmëroi reformë për sistemin e adresave dhe përdorimin e aseteve kriminale për projekte sociale.

Rritje pagash për strukturat elitare

Ministrja e Brendshme, Albana Koçiu, bëri të ditur se është propozuar një rritje e re pagash për rreth 720 punonjës të Policisë së Shtetit, kryesisht në strukturat RENEA, Forcat Kombëtare të Sigurisë dhe forcat operacionale. Sipas saj, fondi për këtë rritje është parashikuar në buxhetin e vitit 2026 dhe synon të shpërblejë efektivët që përballen me rrezikshmëri të lartë në vijën e parë.

 

“Kemi propozuar një rritje të re pagash përsa i përket punonjësve të policisë së shtetit, janë rreth 720 punonjës të cilët do të përfitojnë një rritje të mëtejshme dhe është rritje që shpërblen të gjithë ata efektivë, që përballen dhe që janë në vijën e parë të rrezikshmërisë”, deklaroi Koçiu.

 

Sipas saj, me rritjen e re një inspektor në RENEA do të arrijë pagën 1600 euro, ndërsa një drejtues 2300 euro. Në forcat operacionale, paga për gradën inspektor do të jetë 1200 euro, ndërsa për komisar 1600–1700 euro. Ministrja theksoi se kjo politikë synon edhe ruajtjen e efektivëve më të mirë në këto struktura.

 

Sistemi i adresave në rishikim

Koçiu pranoi se sistemi i adresave në vend ende nuk është funksional, pavarësisht përpjekjeve të deritanishme. Ajo njoftoi nisjen e një pune të përbashkët me bashkitë për rishikimin e planeve vendore, emërtimin e rrugëve dhe përcaktimin e përgjegjësive institucionale për popullimin e sistemit.

 

“Për të ofruar shërbime më të mira për qytetarët, një sistem i saktë adresash është i domosdoshëm. Kemi nisur punën me bashkitë për të bërë një analizë të detajuar dhe për të kuptuar cilat janë institucionet që do të mbartin përgjegjësinë për të populluar sistemin e adresave”, u shpreh ministrja.

 

Monopatinat mbeten të pezulluara

Sa i përket vendimit për pezullimin e përdorimit të monopatinave, Koçiu e cilësoi atë të drejtë, duke theksuar se deri në tetor 2025 ishin regjistruar mbi 990 raste që kishin marrë trajtim në spitalin e Traumës për shkak të aksidenteve të lidhura me to.

 

Ajo sqaroi se po punohet për rregullimin e kuadrit ligjor dhe për një studim të thelluar mbi infrastrukturën dhe kushtet e nevojshme për lëvizje të sigurt.

 

Asetet kriminale në funksion të shoqërisë

Ministrja njoftoi gjithashtu nismën për përdorimin e aseteve kriminale të sekuestruara dhe të konfiskuara në funksion të drejtpërdrejtë të shoqërisë. Gjatë vitit të kaluar janë sekuestruar apo konfiskuar pasuri me vlerë mbi 65 milionë euro, shifra më e lartë e arritur ndonjëherë brenda një viti.

 

Vetëm gjatë vitit 2025 janë sekuestruar 726 pasuri me vlerë mbi 6 miliardë lekë, ndërsa 64 prej tyre janë konfiskuar dhe përdorur për 15 projekte me impakt social dhe për 20 institucione publike. Është krijuar gjithashtu baza ligjore për transferimin e pronave të konfiskuara në pushtetin vendor për strehim dhe ngritje qendrash sociale për viktimat e krimit dhe dhunës.

 

Koçiu paralajmëroi edhe një nismë të re ligjore për të mundësuar që asetet kriminale të përdoren në mbështetje të familjeve të efektivëve të Policisë së Shtetit të rënë në detyrë.

 

Burimi: Shqiptarja


Më të lexuarat