Secondary Adv

Pagesat me kartë rekord në 2025, për herë të parë kaluan tërheqjet cash në ATM

Pagesat me kartë arritën nivelin më të lartë historik në 2025 dhe për herë të parë tejkaluan numrin e tërheqjeve cash nga bankomatet.

Rritje e fortë e pagesave në POS

Sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë, gjatë vitit 2025 u realizuan 27.2 milionë pagesa me kartë në terminalet POS, me një rritje prej 38.7% krahasuar me vitin 2024. Në vlerë, këto transaksione arritën në 105.75 miliardë lekë, 27% më shumë se një vit më parë.

 

Për vitin 2025, pagesat në terminale POS përbënin 17.5% të vlerës totale të veprimeve me karta, nga 16% që ishte pesha e tyre një vit më parë, duke reflektuar rritjen graduale të përdorimit të instrumenteve jo cash.

 

Për herë të parë më shumë pagesa se tërheqje cash

Viti i kaluar shënoi një moment historik për sistemin e pagesave: numri i pagesave me kartë në POS kaloi për herë të parë numrin e tërheqjeve të parasë cash në bankomate. Ky zhvillim konsiderohet një tregues i rëndësishëm i transformimit të kulturës së pagesave në Shqipëri.

 

Rritja është nxitur edhe nga shtimi i turistëve të huaj, të cilët preferojnë pagesat me kartë. Kjo ka shtyrë më shumë biznese të instalojnë terminale POS, duke zgjeruar aksesin në pagesat elektronike edhe për konsumatorët vendas.

 

Shtim i terminaleve dhe kartave bankare

Në fund të vitit 2025, numri i terminaleve POS arriti në 31,263 njësi, në rritje me 27.7% krahasuar me një vit më parë. Shtimi i tyre është nxitur edhe nga programe promovuese, përfshirë oferta për instalim pa kosto dhe komisione të reduktuara në fazën fillestare.

 

Ndërkohë, numri i kartave bankare aktive arriti në 1.65 milionë, 9.4% më shumë se në vitin 2024. Kartat e debitit mbeten dominuese me 1.46 milionë njësi, ose rreth 88% e totalit. Segmenti i kartave të kreditit regjistroi gjithashtu rritje, me afro 120 mijë karta aktive, 5.6% më shumë në baza vjetore.

 

Objektivi për ekonomi cashless

Qeveria ka shpallur objektivin për kalimin drejt një ekonomie cashless deri në vitin 2030. Ndryshimet në ligjin për “Procedurat Tatimore” parashikojnë detyrimin që shumica e bizneseve të pajisen me terminale POS brenda vitit 2026. Ky detyrim pritet të përshpejtojë zgjerimin e pagesave elektronike dhe të forcojë më tej prirjen e zhvendosjes nga paraja fizike drejt kanaleve dixhitale.

 

Burimi: Monitor


Më të lexuarat