Buxheti i vitit 2026 u miratua me 62 vota pro dhe përfshin pagën e 13-të për sektorin publik si dhe rritje të shtesës për përvojën e punës.
62 vota pro për buxhetin e ri
Kuvendi i Kosovës miratoi këtë të premte në seancë plenare buxhetin për vitin 2026. Ligji për ndarjet buxhetore u votua me 62 vota pro, 36 kundër dhe asnjë abstenim. “Me 62 vota për, 36 kundër dhe asnjë abstenim Kuvendi miratoi Ligjin nr. 10/L-001 mbi ndarjet buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2026. Falënderoj të gjithë deputetë për kontributin e dhënë”, deklaroi kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu.
Paga e 13-të dhe rritje për përvojën e punës
Sipas kryeministrit Albin Kurti, buxheti përfshin edhe pagën e 13-të për punonjësit e sektorit publik që paguhen nga buxheti i shtetit, e cila do të ekzekutohet sapo ligji të hyjë në fuqi. Po ashtu, buxheti parashikon rritjen e shtesës për përvojën e punës nga 0.25% në 0.50% për 15 vitet e para të shërbimit. Komisionet parlamentare kanë votuar edhe disa projektligje të përfshira në ndarjet buxhetore, që prekin sektorë si shëndetësia, siguria, arsimi dhe buxhetet komunale.
Qeveria: Buxhet i përkohshëm dhe emergjent
Ministri i Financave, Hekuran Murati, e cilësoi buxhetin si të përkohshëm dhe emergjent, duke theksuar se ai do të rishikohet. Sipas tij, për shkak të kohës së kufizuar, ministrive nuk u është dhënë hapësirë për ndryshime të thelluara, në mënyrë që të shmangen probleme gjatë zbatimit.
“Për këtë arsye, ne, si Qeveri, nuk ua kemi dhënë hapësirën as ministrive që të bëjnë ndryshime, duke konsideruar se nuk kemi shumë kohë për të bërë ndryshimet e nevojshme dhe në mënyrë cilësore, në mënyrë që ato pastaj të mos reflektojnë me probleme gjatë rrugës”, tha Murati.
Opozita voton kundër
Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Arian Tahiri, kritikoi projektligjin dhe njoftoi se deputetët e kësaj partie do të votonin kundër. Ai deklaroi se buxheti nuk reflekton përbërjen e qeverisë, nuk është dokument profesional dhe përmban mangësi që, sipas tij, mund të kenë pasoja edhe në vitet e ardhshme.